Edhe po të shkohet në zgjedhje të parakohshme, ato do t’i fitojë PDK-ja. Këtë bindje ka deputetja e partisë së Thaçit, Ganimete Musliu. Në një intervistë dhënë për tesheshi.com, ajo bën një analizë interesante të situatës politike, varësisht pyetjeve që i drejtohen. E ndërkohë që mbron firmosjen e Asocacionit dhe Demarkacionit me garancinë që japin ndërkombëtarët si ndërmjetës të tyre, nuk heziton që po ndërkombëtarët t’i quajë përgjegjës për atë që ndodh në veriun e Kosovës, ku serbi ka marrë frenat e gjithëçkajë në dorë. Dhe në fund, shpjegon arsyet se pse Thaçi është i duhuri për president….
Intervistoi: Blendi Gashi
Kosova në kolapsin më të madh politik që pas luftës. Është e lehtë që nga pozita politike përgjegjësia të hedhësh direkt tek kundërshtari. Por, gjykuar në kompleks, a është vërtetë kështu? Pra, që fajin e ka opozita?
Është e vërtetë që Kosova po përjeton një krizë të rëndë institucionale. Nga çfarëdo pozite ta shikosh dhe ta gjykosh, asgjë nuk është vetëm bardhë dhe zi. Proceset kanë kompleksitetin e vet. Sa i përket fajit dihet që faji mbetet gjithmonë jetim, në rastin e Kosovës do thoja që faji është shndërruar në top pingpongu sepse hidhet sa në njërën anë sa në anën tjetër. Unë e mbroj me fanatizëm të drejtën e protestës si pasuri demokratike, por protesta duhet të jetë paqësore dhe të ofrojë platformë për dialog. Protesta që mohon dialogun në çfardo forme, është thirrje për destabilizim dhe luftë qytetare, prandaj duhet të evitohet një formë e tillë e protestës sepse një gjendje e tillë do të ishte fundi i Kosovës si shtet. Personalisht, e fajësoj opozitën jo pse proteston apo kundërshton por pse ata secilit nga ne apo secilit qytatar që nuk pajtohen me ta ja mohojnë aftësinë për të menduar, vepruar apo në rastin tonë si kolegë për të votuar si duhet në momentin e duhur. Përveç kësaj deri sot nuk kanë ofruar asnjë planprogram i cili ja vlen të merret në konsideratë.
Mendoj se çështjet duhen shtruar dhe sqaruar më parë parimisht e me pas teknikalisht. Sigurisht që ulja në bisedime me Beogradin, e më pas firmosja pa asnjë kusht e dy marrëveshjeve shumë të diskutueshme – vetëm nëse ka qenë hapja e negociatave apo libelarizimi i vizave – e solli këtë situatë. Përse nuk i kërkohet bashkësisë ndërkombëtare që Serbia ta njoh Kosovën si kusht për maarrëveshjeve të mëtejshme? Çfarë është kjo mungesë kurajoje – mund ta quajmë folklorikisht dhe burrnie – e udhëheqësisë kosovare?
Pajtohem që çështjet duhet analizuar shtruar dhe duhet të vendosen disa vija të kuqe përtej të cilave nuk do duhej të shkonte jo vetëm secila qeveri por as edhe një individ i këtij shteti. Dialogu me Beogradin duhet të bëhet dhe jo vetëm me Beogradin por me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë. Tani po jetojmë në kohën e dialogimit. Kur është fjala të marrëveshjet, pa dashur t’i komentoj detajisht dëshiroj të them vetëm një gjë: secili zyrtar i Kosovës, pa marrë parasysh pozitën e tij, nuk mund të vendosë për asnjë marrveshje në bazë të dëshirave të tij personale. Nënshkrimi i secilit është i pavlerë përderisa nuk ratifikohet në Kuvend, prandaj edhe për marrveshjet në fjalë verdikti i fundit jipet në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshjet u dërguan në Kushtetuese dhe Kushtetusja dha mendimin e saj. Tani duhet modifikuar tekstet konform Kushtetutës sepse asgjë që cenon integritetin e vendit nuk do të themelohet dhe nuk do të pranohet. Sa i përket burrërisë së delegacionit kosovar, besoj këtë pyetje duhet t’ja drejtoni atyre. Unë shpresoj në një delegacion që shkojë ballëlartë jo vetëm në Bruksel por kudo qoftë, sepse nuk kanë asnjë arsye të servilen apo të ndjehen inferior. Ata kudo që shkojnë, shkojnë si përfaqëues të një kombi që mbi gjithçka vendosë lirinë humanizmin dhe tolerancën. Duhet të ndjehen krenar.
Sërish tek aspektet parimore: kur dy palë deri dje armiqësore ulen për bisedime, sigurisht që duhet të ekzistojë premisa pozitive tek të dyja për pajtim. Por Serbia qartazi nuk e ka. Synim tjetër veçse të rimarrë Kosovën me të gjitha format e mundshme, nuk ka. Si mundet pra që bisedohet, e aq më shumë të firmosen marrëveshje, ku pala tjetër qartazi ka treguar dhe se i shkel si të dojë dhe kur të dojë ato?
Tani të përgjigjem edhe unë parimisht: secili që humb betejën përpiqet me çdo kusht të kthej situatën sadopak në favort të vetin për të shpëtuar fytyrën. Synimet e Serbisë për ta rimarrë Kosovën janë thjesht një ëndërr dhe e tillë do të mbetet përjetë, dhe në këtë pikë nuk e kam as dyshimin më të vogël. Bisedime duhet të zhvillohen edhe me Serbinë, pa marrë parasysh se Serbia ende vazhdon të hedhë gurë në rrugën tonë drejt të ardhmës të cilën nuk do të mund ta ndali. Dhe marrëveshje të cilat do të jenë në pajtim me rendin kushtetues të shtetit tone, do të nënshkruhen edhe në të ardhmen. Pajtimi mes popujve të ish-Jugosllavisë veç ka filluar dhe do të vazhdojë, pamarrë parasysh diskursin politik të disa figurave të cilat kanë mbetë peng i të kaluarës dhe vazhdojnë të thurin legjenda sikur bota është konceptuar për teket e tyre. Realiteti është ndryshe.
A u diskutua në forumet partiake firmosja e Asocacionit dhe e Demarkacionit para se të shkohej në Bruksel? A u njohët ju me këtë akt që pritej të ndodhte dhe a e shqyrtuat imtësisht? Mos harroni se keni përgjegjësi historike për këtë….
Çdo gjë duhet të diskutohet. E thash edhe më lartë se duhet të vendosen vijat e kuqe përtej së cilave mos të guxoj të kaloj askush. Sa i përket marrëveshjeve, qeveria e Kosovës e kishte besimin e klasës politike të Kosovës, por si do që të jetë asgjë nuk do të mund të bëhej në mjegull. Në çdo rast sado të vogël dyshimi, gjendja mund të merrej përsëri në dorë nga institucioni më i lartë në vend. Pastaj, duke qenë se këtë dialog e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, nuk e di se me çfarë qëllimi në ato tavolina obligohen të nënshkruajnë diçka që përmban potencial të madh destabilizimi. Përgjegjësinë për çdo marrveshje e mbajnë të tri palët në dialog. Si do që të jetë, askush në Kosovë nuk është i interesuar të dëmtojë vendin dhe secili duhet të mbajë gjithmonë në mendje të mos shkelë mbi vullnetin e këtij populli. Vendimet e pamatuara këtij rajoni i kanë kushtuar një shekull përplot vuajtje. Kjo nuk guxon të përsëritet. Sa i përket obligimit tim historic, mund të them lirshëm se forca ime është vota ime dhe kjo votë nuk do të përdoret asnjëherë në dëm të së ardhmës së vendit dhe kombit tim. Asnjë favor nuk peshon sa kjo përgjegjësi siç e quani ju. Në këtë pike për mua përfundon çdo kompromis.
Ju si politikane, si anëtare e një partie politike që e mbron Asocacionin dhe Demarkacionin – por më tepër Asocacionin – ç’garanci jepni se nuk do jetë një “Kalë Troje” për të nesërmen e Kosovës, derisa “Kali i Trojës” është ashti i politikës serbe ndaj fqinjëve, posaçërisht shqiptarëve. Pse nuk e zgjidhni me zgjedhje të parakohshme këtë situatë. Njihet kjo si praktikë botërore që ngërçe të tilla kaq ekstreme zgjidhen me zgjedhje…?
Edhe unë si politikane, anëtare e partisë më të madhe në vend, dhe partia ime jemi për një Asociacion konform rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Të thuhet që PDK është për një Asociacion që cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës është më shumë se tendencioze, prandaj duhet të kujdesemi për formulimet që bëjmë në adresë të njëri tjetrit. Asgjë gjë cenon integritetin e vendit tonë nuk do të themelohet dhe nuk do të shndërrohet në Kalë të Trojës. Serbia vërtetë nuk praktikon politikë të mirë fqinjësore, megjithatë nëqoftëse Serbia synon integrimin evropian duhet shpejtë të ndërrojë praktikat e deritashme.
Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, dua të përgjigjem me një pyetje: Çka nëse opozita e sotme do të mbetet edhe opozita e ardhshme? A do të rebelojnë prapë me kërkesën për zgjedhje të reja? A do të jetë ky një rreth vicioz në të vilin do të futemi si shoqëri? Zgjedhjet janë të panevojshme kur bëhën për të qetësuar një grup politikanësh të zhgënjyer sepse kushtojnë shumë jo vetëm sa i perket buxhetit i cili edhe ashtu është i mangët. Por edhe sikur sot të mbahen zgjedhjet, PDK përsëri do të dali fituese dhe do ta formoj qeverinë.
Dhe diçka tjetër: kush mban përgjegjësi për veriun e Kosovës, ku serbët bëjnë ç’të duan; për Mitrovicën e ndarë, për shqiptarët në anën tjetër që nuk po rindërtojnë dot shtëpitë e tyre?
Çështje e veriut të Mitrovicës është një skandal i vërtetë për të cilin fajin e mbajmë të gjithë, por në radhë të parë bashkësia ndërkombëtare e cila për më shumë se një dekadë toleroi keqpërdorim të tmerrshem nga serbët. Në anën tjetër, ne na mbajti poshtë duke na i mbajtur standardet para hunde si një të urituri kafshatën e vetme. Tani nuk duhet të tolerojmë standard të dyfishta. Kosova ka kushtetutën e cila si asnjë tjetër në botë garanton të drejtat e pakicave, por pakicat duhet të respektojnë rendin kushtetues të këtij vendi. Duhet të aplikohet zero tolerancë për secilin që e cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës pa marrë parasyshë etninë.
Thaçi president? Pse, për ç’merita?
Po, Thaçi President. Sa i përket meritave radhitja e tyre do t’i kalonte kornizat e kësaj interviste, por mund të them se z. Thaçi është kandidati më i merituar aktualisht për të mbajt postin e të parit të vendit, duke marrë parasysh që e ka edhe legjitimitetin e popullit si lideri më i votuar në vend. Prandaj, në çfardo varianti qoftë edhe një zgjedhje direkte nga populli Thaçin do ta nxirrte President me epërsi të plotë. /tesheshi.com/