Me profesion është neuropsikiatër, por njëkohësiht edhe një politikan i dëshmuar. Nuk shquhet si një “zhurmaxhi”, si disa kolegë të tij deputet, por për thellësinë e mendimit, për çka kujdeset për fjalët publike që bën.
Për tensionimin e fundit të situatës dhe kërcënimeve me luftë nga Serbia, thotë se duhet bërë një analizë më e thellë, por shprehet se Kosova nuk guxon të bie pre e kurtheve të këtij shteti i cili synon destabilizimin e vendit tonë.
Intervistoi: Blendi Gashi
Deputet Xhelili, intervistën e fillojmë me tensionimin e situatës, konkretisht kërcënimet e Nikoliç dhe Vuçiç se “nëse preken serbët do të ketë luftë”? Si i keni parë këto deklarata, dhe a kanë arsye kosovarët të frikësohen nga shpërthimi i një lufte të re?
Kjo çështje do një analizë më të thellë dhe më reale të situatës. Në konferencën e katërt të Ambasadorëve në Prishtinë ndër të tjera kam folur dhe paraparë rreziqet që e presin Kosovën në 2017. Ndër rreziqet e parapara ka qenë edhe ndërtimi i murit dhe situata me Serbinë. Besoj se politikanët e vendit janë të vetëdijshëm se do ketë marrëdhënie të komplikuara me Serbinë edhe për një kohë të gjatë, pasi nuk është pritur që marrëdhëniet të rregullohen shpejt. Dihen tendencat edhe planet strategjike të Serbisë në drejtim të Kosovës. Serbia për një kohë të gjatë nuk do mund ta harrojë humbjen që e ka pësuar. Vazhdimisht do mundohen të krijojnë destabilitet në Kosovë, Bosnjë dhe Maqedoni dhe kjo i gjen bazat në tezat e Çosiçit pas humbjes së luftës së Kosovës në vitin 2000. Çosiçi ka dalë me teza të tilla se çfarë duhet bërë serbët tani e tutje. Këto teza i ka përvetësuar Gjingjiqi dhe në bazë të tyre ka krijuar politikat e Serbisë, që faktikisht janë politikat e tashme të Serbisë, ku qëndrimi strategjik i tyre është vazhdimisht të mbahen të destabilizuara shtetet që ceka më lartë.
Në arsyet dhe qëllimet e këtyre politikave është baza që Kosovën me mbajë të tendosur dhe të njëjtën kohë me prezantuar si shtet të paaftë që nuk di të funksionojë.
Ata kanë një ambiguitet në drejtim të Bashkimit Evropian pasi ende nuk janë përcaktuar nëse do marrin rrugën drejt integrimit evropian apo kanë qëllim të mbeten në relacion me Rusinë dhe boshtin ortodoks.
Besoj se pengesa kryesore për Serbinë është anëtarësimi në NATO i Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe të gjitha veprimet në dy vitet e fundit i ka marrë në drejtim për të penguar shtetet në fjalë të anëtarësohen në NATO.
Veprimet e fundit të cilat Serbia i ka marrë në Kosovë me trenin dhe murin, është vështirë të dallohen nëse janë bërë për shkak të politikave ditore për shkak të zgjedhjeve të brendshme atje, apo janë një vazhdimësi me qëllim të destabilizimit, të cilat shtetin tonë do ta sjellin në situata reaktive dhe do ta detyrojnë të veprojë në mënyrë joracionale që ata pastaj të shfrytëzojnë këtë dhe prezantojnë Kosovën dhe shqiptarët si agresiv, si kriminel, destabilizues të rajonit dhe gjeneratorë të krizave, kurse qeverinë e tyre ta prezantojnë si stabilizues të paqes. Kjo mendoj është esenca e gjithë kësaj. Mirëpo, qeveria jonë ka ndjekur një politikë racionale dhe vazhdon të bëj një gjë të tillë. Para së gjithash, shteti ynë ka për bazë interesat e qytetarëve, interesat e qytetarëve serb në këtë periudhë kohore. Shteti ynë ka investuar shumë në faktorin serb si komunitet i barabartë dhe në drejtim politik dhe mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të tyre si dhe në përmirësimin ekonomik dhe ambientit të tyre.
Faktikisht duhet pranuar se ka munguar një komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët serbë të pjesës veriore por është tentuar që të komunikohet në mënyrë indirekte, pra përmes politikës paqësore, investuese, stabile, politikë për krijimin e benificioneve për ta dhe për sigurinë e tyre.
Anketat që janë bërë në tri vitet e fundit me qytetarët serb në pjesën veriore, tregojnë se ata janë të vetëdijshëm për situatën dhe kanë filluar të vetëdijesohen për keqpërdorimet që janë bërë ndaj tyre nga politikat ditore nga barrikadat e tutje, dhe 70 për qind e qytetarëve serb të pjesës veriore janë të interesuar për një jetë të mirë, punësim, infrastrukturë, shkollim etj.
Kosova i trajton serbët në veri si qytetarë të barabartë, andaj ka zhvilluar politika më tolerante ndaj tyre dhe nuk ka rënë pre e politikave ditore dhe kurtheve të Serbisë të cilat i ka ngritë me qëllim të destabizilimit të vendit tonë.
Për të ulur tensionet tashmë janë zhvilluar dy takime në nivel të lartë të dy shteteve. E arsyetoni vazhdimin e dialogut apo është dashur të pezullohet përkohësisht?
Kosova është duke i drejtuar politikat në drejtim të fakteve racionale dhe është më racionale se Serbia.
Më mirë është të bisedohet dy apo tre muaj se të luftohet njëzet apo tridhjetë minuta. Kështu që dialogu domosdo duhet të vazhdohet, por ekipi teknik duhet të jetë më i përgatitur për dialog, të jetë më i vetëdijshëm për çdo marrëveshje që e nënshkruan, të detajizohet deri në detaje.
Disa herë ka ndodhur që mosdetalizimi i gjërave gjatë arritjes së marrëveshjeve janë keqpërdorur prej serbëve, dhe pala serbe ka qenë jo korrekte në zbatimin dhe realizimin e obligimeve që i ka marrë nga marrëveshjet dhe kanë ndërtuar politika taktike dhe agresive në drejtim të prolongimit të dialogut.
Andaj, prolongimi i dialogut në këtë periudhë kohore i konvenon më shumë Serbisë për shumë arsye.
E para dëshiron ta zgjasë kohën për integrime evropiane sepse nuk e ka të qartë a dëshiron ta ndjek këtë rrugë, dhe e dyta i konvenon për t’ia pamundësuar ose vështirësuar shtetit tonë anëtarësimin në organizata të ndryshme qoftë rajonale apo ndërkombëtare.
Unë jam që të vazhdohet dialogu, një dialog konstruktiv dhe këtë pala kosovare e ka dëshmuar dhe ka shfaqur edhe ide dhe veprime për të gjeneruar stabilitet në regjion dhe po e bën një gjë të tillë.
Po ashtu Kosova po ndjek politika të fqinjësisë së mire, dhe po shikon dhjetë vjet para serbëve dhe besoj se me gjithë vështirësitë që mund të paraqiten sepse dialogu mund të jetë herë i favorshëm herë jo, besoj se produkti final i dialogut do jetë shumë pozitiv për Kosovën.
Si e shihni heshtjen e Parlamentit, pra mos mbajtjen e asnjë seance pas tensionimit të situatës në veri? A duhet sa më parë institucioni ligjvënës të mblidhet dhe deputetët të thonë mendimin e tyre?
Nuk konsideroj se debati ka heshtur, pasi janë zhvilluar disa debate qoftë me iniciativën e partive politike ose të individëve dhe deputetët kanë pasur mundësi të shprehin qëndrimet e tyre.
Dihet se përgjegjës për krijimin e politikave është qeveria. Besoj që shumica e deputetëve kanë shprehur mendimet e tyre, mirëpo frikësohem se disa prej tyre shpesh janë edhe patriotike dhe emocionale dhe politikat afatgjate nuk zhvillohen në bazë të interesave partiake e grupore.
Kur janë momentet strategjike vendimtare për Kosovën në drejtim të paraqitjes së rrezikut ndaj vendit, dhe avancimit të institucioneve, rritjes së cilësisë së punës, ndërtimit të relacionit me faktorin ndërkombëtar duhet qenë më racional dhe me gjakftohtësi të analizohen gjërat.
Politika ditore dy muajt e fundit ka qenë shumë dinamike dhe atë dinamikë duhet përcjellë me analiza të mirëfillta, por edhe me informacion real dhe hapat që duhet marrë ekzekutivi.
Besoj se qeveria ka qenë e informuar dhe ka marrë hapa adekuat për të zgjedhur këtë situate, por menaxhimi i situatave të tilla matet me produktet përfundimtare të atij menaxhimi.
Kalojmë në një temë tjetër. A keni informacioni se kur do rikthehet Demarkacioni për ratifikim në Kuvend? A besoni se i ka votat për ta kaluar koalicioni qeverisë?
Demarkacioni u bë një temë e madhe, falë investimit të partive opozitare duke synuar ta shndërrojnë në një kauzë për politikën e brendshme.
Unë nuk jam ekspert i Demarkacionit dhe njohës i kësaj fushe, por si çdo deputet edhe unë jam përgatitur me njohuri prej profesionalistëve dhe njerëzve që janë të kyçur drejtpërdrejtë në procese të tilla, posaçërisht me njerëz që kanë njohuri për kufijtë komunalë, parcelat komunale, zonat kadastrale etj.
Është një konstatim se është pranuar që të shpallet pavarësia në hapësirën territoriale e cila ka qenë e krahinës autonome socialiste të Kosovës 1974 edhe janë dy obligime që janë ndaj faktorit ndërkombëtarë, që Kosova të shpallet shtet në atë territor dhe të pranohet me ata kufij.
Kufinjtë e krahinës autonome socialiste të Kosovës kanë qenë të 22 komunave të atëhershme dhe me këtë territor është shpall pavarësia e vendit.
Unë jam i prirur t’iu besoj institucioneve tona dhe komisionit që ka formuar kryeministri. Kam dëshirë që me fakte dhe demantu mos ekzistimin e vijës reale të cilën e ka prezantuar komisioni.
Nuk e mohoj që edhe komisioni të ketë bërë gabime teknike, mirëpo unë i besoj komisionit shtetëror.
Po ashtu, janë bazuar shumë në gjendjen kadastrale të Komunës së Pejës që të dhënat dhe dokumentet janë në tërësi të ruajtura dhe e tregojnë gjendjen faktike në teren dhe me saktësi janë të evidentuara pronat individuale dhe shtetërore dhe në bazë të këtyre të dhënave sipërfaqja nuk ka ndryshuar në 60-70 vitet e fundit.
Mendoj që kryeministri ka marrë një hap të ri me formimin për komisionit për matjen e territorit të vendit, që në mënyrë direkte apo indirekte me arrit të kufinjtë ekzistues.
Pra, keni apo jo informacione se kur do rikthehet marrëveshja për Demarkacionin në Kuvend?
Njëherë duhet pritur produktet e punës së komisionit të ri që është formuar nga kryeministri dhe nëse bazë të punës së komisionit në fjalë besoj se do dalin fakte të reja mohuese apo konfirmuese për vijën kufitare.
E mira është që shteti ynë nuk ka pretendime territoriale, ashtu edhe Mali i Zi, sepse ka treguar çdo herë gatishmëri për bashkëpunim.
A besoni se koalicioni qeverisës i ka votat për të ratifikuar këtë marrëveshje?
Besoj se komisioni i ri me punën e tij do qartësoj shumë gjëra dhe do bëj që deputetët të kenë më shumë argumente profesionale dhe shkencore.
Shumica prej tyre që nuk kanë qenë të gatshëm të votojnë, pasi nuk kanë qenë drejtë të informuar, sepse duhet pranuar se qeveria gjithë procesin e Demarkacionit në drejtim të publikut nuk e ka menaxhuar mirë, sepse më shumë janë zhvillu debate politike se profesionale.
Vota ime do jetë në kontekst të vlerësimit që do japë komisioni i ri sepse jam i prirur tu besoj institucioneve dhe nuk kam mekanizëm, as metoda, as mundësi të dijë se ku është kufiri, andaj u besoj institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund dhe nuk shoh ndonjë motiv të arsyeshëm që komisioni ose ndonjë prej anëtarëve të komisionit të keqpërdorin besimin e dhënë.
Po për çështjen e “Zajednicës” siç e quan opozita, ç’mendim keni?
Unë jam ithtar që serbët të kenë të drejtë të themelojnë një Asociacion që bazohet në ligjet tona, Kushtetutën dhe besoj se Asociacioni i komunave ekzistuese është një model i mirë për të zhvilluar edhe serbët një model të tillë.
Asociacioni është një mekanizëm që ua mundëson qytetarëve të atyre komunave të krijojnë relacione pozitive me shumë qytete, pse jo tash edhe me qytete të Serbisë, Evropës, ashtu si ka zhvilluar Asociacioni ekzistues me qytete të Shqipërisë, Maqedonisë, Anglisë, Gjermanisë, Belgjikës etj.
Por, jam ithtar i asaj që Asociacioni të mos ketë ingerenca ekzekutive, mos me u ndërtuar një pushtet i tretë dhe siç dihet Gjykata Kushtetuese ka dhënë parametrat mbi të cilat duhet të themelohet Asociacioni.
Bashkëpartiakët tuaj, Shukri Buja e Shaip Muja haptazi janë shprehur për prishjen e koalicionit me LDK-në. Jeni i të njëjtit mendim me ta apo jo?
Është e drejtë e deputetëve të caktuar të shfaqin pikëpamje të ndryshme për punën e qeverisë. PDK është partner me LDK-në në këtë koalicion dhe faktikisht koalicioni ka punuar më mire se ç’kam pritur duke pasur parasysh situatën e krijuar dhe presionit të ushtruar nga opozita.
Më vjen keq që ka humbur shpresa tek qytetarët për ardhmërinë, pasi shqiptarët kanë qenë një prej popujve më optimist në Evropë dhe botë. Besoj se optimizmi sado i zbehur ekziston ende por pres nga qeveria që këtë optimizëm ta bazoj në veprime konkrete duke krijuar një ambient të volitshëm qoftë ligjor për zhvillimin ekonomik, qoftë edhe hapësinor për investitorët e huaj për ta ndier vetëm komod dhe të sigurt për të investuar në vendin tonë.
Mosvotimi i Demarkacionit dhe Asociacionit faktikisht janë dy lëshime të qeverisë që kanë me përcjell me note negative ose jo kaluese, mirëpo shpresoj që periudha e ardhshme do t’i mundësojë qeverisë së tanishme të tregoi rezultate të mira dhe me qenë në hap me kërkesat e qytetarëve dhe kohës, ose do të zbehet edhe më shumë puna e kësaj qeverie.
Besoj se PDK-ja si partner i koalicionit është korrekt me partnerin. Faktikisht PDK është duke e zbehur kapacitetin e kuadrove të partisë në këtë qeveri, sepse nuk është si ta udhëheqësh vet qeverinë si partneri ta bëj një gjë të tillë.
Besoj se PDK ka kuadro cilësorë dhe kuadro që kanë kapacitete dhe aftësi vendimmarrëse edhe atëherë kur është situata e rrezikshme edhe kur qytetarët nuk presin që një potez nuk është i mirë dhe pozitiv, por vazhdimisht vendimet e PDK-së në të kaluarën edhe pse nuk kanë qenë të mirëpritura në disa raste nga një pjesë e qytetarëve kanë dalë me rezultate pozitive në kohën e ardhshme.
Jam ithtarë që duhet qenë korrekt me partnerët e koalicionit dhe Kryesia e PDK-së së bashku me kryetarin është korrekt në këtë relacion.
A besoni se qeveria aktuale do çojë mandatin deri në fund, pra deri më 2018-të?
Varet prej zhvillimeve të dy apo tre muajve të ardhshëm. Besoj se determinues janë themelimi i Asociacionit dhe Demarkacionit. Nëse këto dy obligime të shtetit nuk kalojnë atëherë nuk besoj se kjo qeveri do e çojë mandatin deri në fund.
Nëse mbahen zgjedhjet këtë vit, a pritni PDK të dalë partia fituese dhe Kadri Veseli të bëhet kryeministër ?
Jam i bindur se PDK do dalë e para në zgjedhjet e para. Nuk kam arsye ta fshehë se pres që një ditë Kadri Veseli ta udhëheq qeverinë. Është njeri që bën të mbash optimizmin për të ardhmen e vendit, dhe besoj se investimi i Kadriut për ta krijuar një Kosovë stabile, ekonomikisht të qëndrueshme dhe të zhvilluar, një shtet që krijon marrëdhënie të mira me fqinjët, që hynë në NATO dhe që do jetë pjesë e BE-së, dhe tek ai gjendet të gjitha këto tipare dhe me përzgjedhjen e një ekipi serioz qeverisës ai do ia arrin qëllimit.
Kurse sa i përket koalicioneve të mundshme, kjo do varet nga rezultatet që do dalin partitë. PDK si parti fituese do analizojë mirë forcën e tyre politike të shndërruar në vota dhe do shikojmë edhe përputhjen edhe të programit të PDK-së me cilat parti përputhet më shumë.
Për fund, si po e udhëheq Kadri Veseli PDK-në? A jeni i kënaqur me punën e tij të deritanishme si kryetar i partisë apo keni pritur më shumë?
Me Kadriun kam pas rast dhe hapësirë të punoj një kohë të gjatë, tashmë janë bërë 20 vite që kemi kaluar bashkë në shumë procese.
Kadriu është njeri i arsyeshëm, racional, i përgjegjshëm, ekipor, dhe interesat e shtetit i vë përpara interesave personale e partiake.
Kryetari i tanishëm nuk e ka pasur lehtë të vazhdoj punën e ish-kryetarit të partisë. Kryetari i mëparshëm ka qenë një njeri që ka udhëheq partinë për 17 vite dhe ka përparuar shumë në politikë dhe është bërë investim që të krijohet lider dhe është bërë i tillë, pasi dihet se liderët nuk krijohen lehtë dhe për një ditë.
Kam besim te vizioni i Kadriut për të ardhmen e Kosovës, për synimet e tij dhe PDK-së që vendi të përparoi sa më shumë. Ai ka fokus të veçantë zhvillimin ekonomik, dhe krijimin e ambientit të sigurtë për qytetarët dhe investitorët.
Besoj se me qasjen e tij në kuadër të PDK-së dhe respektin që ngjallë gjatë punës me të, politikat e PDK-së në drejtim të institucioneve, shtetit tonë, Kadriu do jetë një kryetar i suksesshëm i partisë.
Besoj që çdo ditë dhe më shumë edhe qytetarët po binden në racionalitetin e tij edhe në aftësitë menaxhuese të Kadriut nuk dyshojë pasi kam qenë bashkëveprues me të dhe e di që çdo herë ka marrë veprime të arsyeshme dhe në dobi të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. /tesheshi.com/