Xhevat Ademi, Rexhail Ismaili, Vjollca Nuredini – Mehmeti, Ermira Mehmeti, Ramiz Merko, Ejup Rustemi, Alim Bilali, Selvie Saliu, Jamin Sinani, Shpresa Hadri, Musa Ibraimi dhe Mervan Xhemaili. Këto janë emrat e deputetëve të BDI-së të cilët votuan pro zgjedhjes së Toni Naunovskit për anëtar të komisionit shtetëror anti-diskriminim.
Secili prej tyre është më patriot dhe më reformator se shoqi (me fjalë), shkruan “Lajm”. Mirëpo kur vijnë në rend dite propozimet e VMRO-DPMNE-së dhe kur Gruevski ua tregon derën për të dalë nga qeveria, nuk hezitojnë të votojnë as persona si Naunovski, i njohur për qëndrimet e tij fashiste ndaj shqiptarëve.
Për dallim nga kolegët e tij në rradhët e BDI-së, vetëm deputeti Rafiz Haliti ka votuar kundër Naunovskit.
“Kam respekt për anëtarët tjerë të Komisionit, unë kam votuar kundër përbërjes së Komisionit për shkak Toni Naunovskit, sepse kam përcjell qëndrimet e tij nëpër debate dhe ai ka kaluar vijat e kuqe. Unë kam votuar kundër një njeriu që angazhohet për diskriminim të propozohet në një komision ku ai duhet t’i mbrojë qytetarët nga diskriminimi”.
Sa për ilustrim, dëgjoni një nga qëndrimet e Toni Naunovskit për propozimet që kryeministri duhet të jetë shqiptar.
“… Për të formuar qeverinë përmendin emra të nacionalistëve shqiptarë. Kryeministër shqiptar vetëm në Shqipëri, në Maqedoni mund të jetë kryeministër vetëm maqedonasi”, ka deklaruar Naunovski. /tesheshi.com/