Nëpërmjet një komunikate me shkrim, Partia Demokratike Shqiptare në krye me Menduh Thaçin kanë reaguar për presionin kërcënimet dhe shantazhet, që sipas saj, i bëhen qytetarëve shqiptarë të punësuar në institucionet shtetërore të Maqedonisë.
PDSH thotë se në adresën e saj kanë mbërritur me qindra ankesa nga qytetarë që kanë të bëjnë me kërcënime për shkarkime nga puna, raste korrupsioni, ndërprerje të energjisë elektrike, ankesa për gjoba, taksa dhe tatime të mëdha të shqiptuara nga ana e institucioneve shtetërore, si dhe trajta tjera keqpërdorimit të institucioneve shtetërore me qëllim ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve për qëllime politike.
“Frikësimi, kërcënimet dhe shantazhet ndaj qytetarëve vazhdojnë të ngelin shqetësim, njëjtë sikurse edhe partizimi dhe politizimi i skajshëm i institucioneve. PDSH në asnjë mënyrë nuk mund të tolerojë frikësimin e qytetarëve, aq më pak kur kjo bëhet për qëllime politike. Për këtë arsye, të gjithë strukturat e partisë do të jenë në dispozicion të qytetarëve, ku ata do të mund të bëjnë raportimin e rasteve në të cilat nga ana e individëve të veshur me pushtet, apo nga ana e institucioneve ju bëhet çfarëdolloj presioni, apo ju mohohet ndonjë e drejtë e garantuar”, thuhet në komunikatën e PDSH-së. /tesheshi.com/