Presidenti Hashim Thaçi javë më parë foli për demarkimin e kufirit me Serbinë, me ç’rast kërkoi unifikim të skenës politike pasi tha se nëse ka përçarje ky proces do të jetë i “tmerrshëm”.
“E pamë se si e kyem demarkimin me Malin e Zi dhe Maqedoninë. Por çka do të ndodh me Serbinë? Do të jetë proces i tmerrshëm demarkimi me Serbinë, sepse nuk ka pasur kufi kurrë. Ne e dimë përafërsisht ku ka qenë, por jo në vija të sakta”, deklaroi Thaçi.
Por kryediplomati serb, Ivica Daçiç i kundërpërgjigjet Thaçit duke thënë se “nuk ka kufi midis Kosovës dhe Serbisë dhe nuk mund të ketë demarkim”.
Për çështjen në fjalë së fundmi ka folur edhe kryeministri Ramush Haradinaj i cili ka deklaruar se “demarkimi është një proces i rëndësishëm kur ndodh në mes të vendeve mike, e le ma në situatën që kemi ne me Serbinë. Për këtë arsye nuk kisha avancu më shumë se kur dhe si duhet të ndodhë”.
Kujtojmë se korrigjimin e kufijve si mundësi për zgjidhjen Kosovë-Serbi, javët e fundit përmes konferencave të vazhdueshme e ka përmendur Thaçin me theks të veçantë, siç thotë, “marrjen e Luginës”. /tesheshi.com/