Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, ndryshe ish-zëri i UÇK-së, Jakup Krasniqi, siç duket fort e kanë nervozuar deklarimet e përditshme të politikanëve e opinionistëve se se qytetarët mbeten peng i lëvizjes së lirë për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes së Demarakacionit me Malin e Zi.
Ai thotë se këta njerëz fare nuk ngurojnë të deklarohen për faljen e tokës por u kujton atyre se ata janë për të mbrojtur sovranitetin e vendit, duke thënë se as me referendum politikanët nuk kanë të drejtë të falin territor.
“Përditë, politikanë të nivelit të ‘lartë’ te instaluar në nivelet e larta të shtetit, që kanë marrë besimin për të qeverisur me vendin, me ruajt fortë sovranitetin e shtetit, me ruajt të paprekshëm tërësinë territoriale të vendit që përfaqësojnë, vrapojnë të deklarojnë gjithë andej, defilojnë në medie elektronike të varura e të pavarura, nuk ngurojnë të shprehin gatishmërinë për të falur tokë?! Tokën e mbrojtur fortë nga breza të shkuar dhe që u duhet shumë edhe atyre që vijnë. Në një rast të tillë, njeriu s’ka si mos t’i shtroj disa pyetje: Çka mbrojnë këta njerëz? Atdheun a veten e tyre? A duhet të bëhen ata mburojë e Atdheut apo Atdheu mburojë e tyre?”, ka thënë Krasniqi.
Ai thotë se as arsyeja liberalizimi i vizave nuk është për tu falur tokë.
“Në medie e jashtë tyre, opinionistë të varur e të pavarur, drejtues të emisioneve televizive, kryetarë partish e partiçkash, vrapojnë secili në kaçikun e tij, të shfaqin gatishmëri për të falë territor stërgjyshor, e nuk ju shkon ndërmend (nëse kanë), se as Kryeministra e Kryetarë shteti a Kuvendi, as ministra të jashtëm a të brendshëm, nuk e kanë të drejtën të falin territor. Dhe shih për ketë, ata e kanë gjetur një arsyeje të fortë, liberalizimin e vizave për qytetarët. Këta po e falin territorin e qytetarëve për hir të qytetarëve?! O njerëz, nëse meritoni t’ju them kështu, a e dini se territori nuk guxon të falet apo të hiqet dorë nga ai, madje as me referendum”, deklaron Krasniqi. /tesheshi.com/