Gjermanët po kërkojnë ta dërgojnë Hitlerin në histori, ndoshta të bindur se kanë vuajtur mjaftueshëm prej trashëgimisë së tij e për këtë përveç ribotimit të librit Mein Kampf, hera e parë që nga përfundimi i luftës, ka dalë në qarkullim edhe një studim serioz për jetën e diktatorit nazist.
Shtatëdhjetë vjet më pas, qeveria e shtetit të Bavarisë, së cilës iu dhanë të drejtat e autorit nga forcat pushtuese amerikane, ka lejuar shpërndarjen e veprës themelore të Hitlerit. Qeveria e ka lejuar një gjë të tillë me kujdesin më të madh, duke iu dhënë akademikëve punën e riprodhimit të versionit tw librit, të mbushur përplot me shënime e që pas botimit, mori përshëndetje për tonin akademik të përdorur.
Por, ndërkaq, në këto muaj të 2016-ës, një biografi e re e Hitlerit: volumi i parë i titulluar thjesht Hitler nga Volker Ullrich, publikuar në gjermanisht në vitin 2013 ka dalë në listën bestseller. Dhe për një arsye të mirë, thonë kritikët, pasi përbën një studim të jashtëzakonshëm. Ashtu sikundër autori Ullrich vëren në parathënien e librit: “detyra më e madhe e një historian i kërkon përgjegjësinë më të madhe”. Volumi prej 750 faqesh, që e transporton lexuesin nga paraardhësit kureshtndjellës austriakë të Hitlerit deri në nisjen e luftës së dytë botërore, është një studim i kuruar, i qetë dhe gozhdues.
Aty u është bërë “autopsia” momenteve të mëdha e të tmerrshme të periudhës së hershme naziste, që nga fjalimet e mbajtura në sallat e birrës, në puçin e dështuar përmes vendosjes së Vajmarit ekonomik e social dhe mundësive që ato përfaqësonin.
Ullrich shqyrton ardhjen në pushtet në vitin 1933. Vetëm muaj më herët, partia naziste NSDAP ishte në një nga pikat më të ulëta të saj e megjithatë duke shfrytëzuar parti të ndryshme, me një përzierje dhune, kërcënimesh dhe momente të rastësishme flirtimi, Hitleri e dërgoi veten në majë, atje ku ai nuk mund ta besonte se kishte arritur.
Pesë ditë pasi ishte zhvendosur në zyrën e kancelarit, ai i tha kreut të ligës së të rinjve: “Ne kemi pushtetin dhe do ta mbajmë atë. Nuk kam për t’u larguar kurrë që këtu”. Brenda pothuajse pesë muajve ai kishte konsoliduar diktaturën e tij. Sikundër vëren autori, çmontimi që ai u bëri normave të brishta demokratike nuk duhej të kishte ardhur si një surprizë. Hitleri, gjithnjë, kishte qenë i sinqertë për qëllimet e veta. Partnerët e tij të koalicionit ose menduan se nuk e kishte seriozisht, ose nuk mundën ta kontrollojnë.
Hitleri u shfaq plotësisht hapur si një antisemit jo kur ishte në Vjenë, por përnjëherësh pas luftës së parë në Mynih, në ditët e revolucionit rus dhe Versajës. Kjo ishte një kohë me një “përzierje shpërthyese tw varfërisë ekonomike, paqëndrueshmërisë sociale dhe traumës kolektive”. Ullrich vëren: “Qëllimi qendror për largimin e hebrenjve nga shoqëria gjermane… nuk ishte absolutisht ideja eksentrike e një individi të vetëm”. Kishte një konsensus të gjerë në radhët e ushtrisë së rikrijuar dhe në pjesë të tjera të shoqërisë.
Historia politike tregohet me përpikmëri në këtë libër. Por fuqia reale e librit qëndron në veçimin e historisë personale të njeriut dhe përbindëshit. Fjala që autori përdor më shumë është “çmitizimi”.
Babai i Hitlerit ishte një shtazë, por me gjasa jo më shumë se patriarkët e tjerë të kohës së tij. Dështimi i Hitlerit në kohën e rinisë për t’u regjistruar në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës ishte një traumë, por kush është ai i ri që nuk ka pasur zmbrapsje të tilla? Vdekja e nënës së tij, Klara, në vitin 1907, largoi prej jetës së tij një nga të paktat femra për të cilat ai ndjente. Doktori i familjes thoshte: “Në pothuajse 40 vjet praktikë mjekësore, nuk kisha parë kurrë një djalosh të ri aq të mbushur me dhimbje dhe zi”.
Asnjë pjesë e jetës së tij “ nuk përmban më shumë thashetheme e legjenda sesa marrëdhëniet që kishte me gratë”. Një dashuri e rrallë ishte e reja Geli Raubal. Ajo vdiq në rrethana misterioze në shtator 1931. Partnerja e tij më e famshme ishte Eva Braun. Ajo mbante shtëpinë por nuk shihej në publik. Kështu, përse ai të mos mundej e të mos donte të mbante marrëdhënie?
Ullrich shkatërron disa ekzagjerime, siç i quan: jo, ai nuk ishte gei, jo ai nuk kishte anomali gjenitale, po ai kishte marrëdhënie me gratë, por të gjitha ishin të tmerrshme. Arsyeja që ka më shumë gjasë, ishte hezitimi i tij për t’i kushtuar shumë energji jetës private “kështu që të parandalonte që shqetësimet personale të kufizonin lartësimin e tij politik”.
Ullrich pikturon një skicë frikërash, tërbimi dhe vogëlsie. Hitleri portretizohet si një “spiessig”, një borgjez, ose më saktë një fjalë gjermane që ka kuptimin e një borgjezi të vogël, mendjengushtë.
Jeta e përditshme në rezidencën alpine të kancelarit në Berghof ishte formale dhe e mbytur. Për drekën njëorëshe që shtrohej, Hitleri do të mbikqyrte planin e uljes në tryezë. Ai vendoste theks të veçantë në rregullimin e luleve. Nëna e Albert Speer do të tallej: “E gjitha është kaq prej “pasunari të ri”. Ai do të bënte ushtrime fizike në rutinën e mëngjesit: kjo do i lejonte atij të mbante dorën e djathtë të shtrirë për një periudhë të gjatë kohe.
“Siç është tipike për shumë autodidaktë, Hitleri besonte se dinte më shumë se specialistët… dhe i trajtonte ata me një arrogancë që ishte veçse reflektim i horizonteve të veta të kufizuara”, shkruan autori. Si një honxhobonxho, Hitleri jetonte me frikën e përhershme se mund të mos merrej seriozisht, ose, madje më keq, se mos e bënte veten të dukej qesharak.
Në historiografinë e Rajhut të Tretë, fokusi i detajuar mbi personazhin e Hitlerit, në të shkuarën ka nxitur kritikat për relativizëm. Fuqia e Ullrich dhe ndjeshmëria ndaj detajeve ka bërë që ky autor, sipas kritikëve, t’ia dalë mbanë me sukses. Por, volumi i dytë, ai që trajton luftën dhe holokaustin, do të jetë shumë më tepër i vështirë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/