Dekorimi i poetit dhe shkrimitarit Dritëro Agolli nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka rihapur debatin e vjetër në rrethet e intelektualve shqiptarë mbi dualizmin mes Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, që ka ekzistuar që prej kur dy shokët e gjimnazit të Gjirokastrës u bënë shkrimtarë rivalë.
Por këtë herë, nuk bëhet fjalë për një kritikë thjesht letrare apo recension vepre, por pikërisht po flitet mbi kontributin intelektual të dy penave shqiptarë për çështjen shqiptare në tërësi, e në veçanti për Kosovën.
Nëse shikon veprën e Kadaresë dhe Agollit, në gjithë rrugëtimin në vite, arrin të dallosh që “damarin” nacionalist apo n’daç ta quash kombëtar, e ka ushqyer më shumë gjirokastriti Ismail Kadare.
Kjo si në sasi por edhe në intensitetit e debatit intelektual në rrafshin ndërkombëtar.
Ka ndodhur kjo ndoshta edhe për shkak se Kadare është shumë më i njohur në elitën botëror sesa Agolli, por edhe lëvrimi i veprës së tij mbi Kosovën dhe çështjen shqiptare në tërësi ka qenë më voluminoz.
Kështu, Ismail Kadare ka shkruar pas demonstrative të vitit 1981 që kërkonin Kosovën-Republikë brenda Jugosllavisë, romanin-ese: “Krushqit janë të ngrirë”, i cili u përkthye dhe u botua edhe në Francë dhe pati mjaft jehonë, çka detyroi disa intelektualë serbë që Parisin e kishin si shtëpinë e tyre që ta sulmonin Kadarenë.
Mbahet mend debati në Le Monde Diplomatique me Vuk Drashkoviçin, i cili u bë më pas politikan dhe ministër i Jashtëm i Jugosllavisë së fundme.
Në fund të viteve ’90-të shkroi sprovën letrare “Ftesë në Studio” ku Kosova ishte shumë e pranishme.
Në vitin 1998 Kadare botoi veprën e dytë ekskluzivisht për Kosovën: “Ra ky mort e u pamë”.
Ndërsa fiks një vit më parë ka qenë presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete jahjaga që ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me medaljen “Urdhëri i Pavarësisë”.
Nga ana tjetër, Dritëro Agolli, ka një qasje në veprën e tij më sociale dhe politike brenda Shqipërisë.
Ai nuk ka pasur ndonjë prej veprave të tij më të njohura që t’i jenë kushtuar çështjes kombëtare si ekskluzivitet apo edhe Kosovës në veçanti.
Por Agolli ka botuar disa poezi shumë të fuqishme dhe perla për rezistencën shqiptare në Kosovë. “Tespihet e Idriz Seferit” është poezia më e bukur dhe e fuqishme që përçon si flakadan fuqinë e kryengritjes shqiptare.
Agolli ka sjellë edhe një lirikë të mrekullueshme që ka lidhje me Kosovën.
Një poezi e shkurtër por shumë fine, “Mesazh i çuditshëm”, flet për bukurinë shqiptare të Kosovës që e sjell si metaforë në portretin e një vajze nga Peja që kishte rënë në Drin dhe ka kaluar në Fierzë. Por mbyllja e kësaj vjershe me tri strofa është fuqi për Shqipërinë e ndarë.
Kjo mbeti për mua një enigmë e çuditshme
Dhe mendjen kam vrarë me javë e muaj me radhë.
Por vetëm një gjë unë e quaj të bardhë e të hijshme:
Vëllai i ndarë prej meje e sillte mesazhin me Drinin e Bardhë
Në fak poezia e Agollit ka qenë lejtmotiv kryesisht nga njësitet e para të rezistencës në Kosovë dhe më pas e UÇK-së. “Mesazhi u çuditshëm” u kthye në himn për “Vëllain e Ndarë që komunikonte me Drinin e Bardhë”.
Nuk mund të flasësh për një konkurencë apo rivalitet direkt mes dy “penave të arta” sa i përket sidomos Kosovës, por për një kontribut komplementar të dyve për çështjen shqiptare. Nga dekorimi i Thaçit, mbetet të dihet vetëm nëse presidenti kosovar, ish-kreu politik i UÇK-së, ka lexuar apo di ndonjë poezi të Dritëroit. Nëse jo, po ia servirim:
Katër poezitë e Dritëroit për Kosovën
TESPIHET E IDRIZ SEFERIT
Dikur një plumb qëlloi Idriz Seferin,
Atë se zuri, zuri veç tespihet.
Tri kokra vrau dhe copra bëri perin,
Të tjerat u përhapën në korijet.
Dhe për çudi unë endem tutje kodrës
Në Kaçanik rreth Shkëmbit të Skifterit,
Se mbase gjej të fshehura prej kohës
Pak kokrra me sedef të Idriz Seferit.
Ndaj unë ato kërkoj, kur jam në rrugë,
Me një durim vërtet prej arkeologu.
Në trasten time marr me vete bukë
Se shpesh mundohem shkrepave si zogu.
Idriz Seferi numëronte kokrrat
Në perin e tespihëve fildishti:
Sa burra ranë e humbën nëpër kodrat
Sa kraharorë i la të zbrazur shpirti!
Idriz Seferi numëronte dertet
Me kokrrat më të lashta se sa koha;
Kujtonte lotët që në gjoks i derdhte
E ëma e tij, e bardhë e tij, Kosova…
Dhe ndaj më duhen domosdo tespihet,
Ç’është e vërteta kokrrat e shpërndara,
Dhe po kërkoj në kodrat e korijet
Apo nën plisat ngritur nëpër ara.
Po ku ta dish si vete puna ime!…
Mos vallë i gjetën zogjtë, e larg i shpunë,
Me sqep i hodhën plot me ligjerime
Në Vjosë apo në Drin, a tej në Bunë!
Megjithatë sërish jam në gjurmime…
BALADA E TRE TË RËNËVE
Me dhentë ktheheshin nga mali tre kosovarë,
U zunë pritë serbët në gjunjët e Sharrit
Tek era fletët e vyshkura hiqte grykave zvarrë,
tek vërshellenin fijet e holla të barit.
I vranë e qirinj s’u lanë të ndezur në darkë.
Në vendin ku ranë tek blegërinin dhentë
I frynë serbët qirinjtë me gojët si kacekët në farkë,
I shuan, mos dukeshin të rënët të shenjtë
po dhentë gjuhët e tyre me erën e barit
I nxirrnin si flakë qiriri me krye drejt qiejve
Dhe qanin me blegërima në gjunjët e Sharrit
Tek hëna të rënëve u qepte qefinët me fijet e reve,
Ndersa hutini vajtonte në degën me gunga të qarit…
MESAZHI i ÇUDITSHËM
Në Fierzë na solli dhe Drini i madh një pikturë,
Portret i një vajze nga Peja – mbi vetull shaminë
Çudi si kish rënë nga Peja në lumë,
Çudi si kish zbritur këtu në liqen nën lendinë!
Po cili piktor na përcillte mesazhe të tillë njerzore
Që larg nga Kosova me ujin e turbullt të Drinit,
Dhe si mund ta dinte se kujt do t’i binte në dorë
Ta shpinte atje në Ekspoziten e Madhe të Dimrit?…
Kjo mbeti për mua një enigmë e çuditshme
Dhe mendjen kam vrarë me javë e muaj me radhë.
Por vetëm një gjë unë e quaj të bardhë e të hijshme:
Vëllai i ndarë prej meje e sillte mesazhin me Drinin e Bardhë.
/tesheshi.com/