Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, nuk u arrestua sot përkundër informacioneve fillestare, por ajo që bëri bujë pas daljes sw tij nga Prokuroria ku u morr në pyetje për rastin “Grushtet”, ishte porosia të cilën e dërgoi në adresë të kreut të PDSH-së, Menduh Thaci, për të vazhduar kështu luftën e ftohtë mes tyre që ka një histori nga e kaluara.
“Do të marrë Menduh Thaçi biseda shtesë të cilat do të vërtetojnë atë, që ne e flasim vazhdimisht. Do ta nxjerrim në shesh shpirtin e tij të tradhtarit, atë që ia ka bërë, por jo Zaevit, as opozitës, por atë që ua ka bërë ithtarëve dhe popullit të vet”, tha Zaev.
Të martën, LSDM-ja shpalosi bisedë në të cilën Thaçi i betohet deri në vdekje shefit të shërbimeve sekrete Sasho Mijallkov, i cili nga Thaçi kishte kërkuar që anëtari i PDSH-së në Komisionin Shtetërorë të Zgjedhjeve të votojë pro VMRO-DPMNE-së, për disa parregullsi në Strumicë.