Liderët e Bashkimit Europian e kanë futur sot Ballkanin në “xhepin” e tyre, BE-së për ta integruar me hapa të kujdesshme drejt strukturave të përbashkëta.
Samiti i liderëve europianë me krerët e Ballkanit Perëndimor në Sofje, ka prodhuar tre pika kryesore: BE e pranon Ballkanin Perëndimor si realitet gjeopilitik të sajin; do të krijojë struktura për ta ruajtur e monitoruar në të gjitha hapat e pjekjes së kushteve për anëtarësim; dhe e treta, pritet që të financojë 10 miliard euro në projekte infrastrukturore dhe ekonomike.
Në një deklaratë të përbashkët të liderëve të BE-së është miratuar ngritja e disa strukturave të posaçme që do të monitorojnë çdo hap të ecjes së Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjës drejt BE-së.
Përkatësisht janë shpallur krijimi i një strukture të posaçme monitorimi për Ballkanin, por edhe një Fondacion i posaçëm që do të promovojë forcimin e institucioneve.
Thënë më shkoqur, Brukseli do të drejtojë thuajse çdo gjë në vendet e Ballkanit për t’i futur në modelin e tij superstrukturor dhe infrastrukturor. Në vendet e BE-së, ashtu siç u bë në Shqipëri me reformën në drejtësi do të shtrihen misionet këshilluese juridike.
Fondacionit Europian për Demokraci do të mbështesë median e pavarur dhe pluraliste, si dhe shoqërisë civile.
Ja deklarata e plotë:
Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve anëtare të saj, në konsultim me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe në prani të aktorëve relevantë rajonalë, kemi nxjerrë sot këto përfundime:
- BE-ja përshëndet angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vlerat dhe parimet evropiane, si edhe për vizionin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar, i cili bazohet në lidhjet tona historike, kulturore dhe gjeografike, dhe gjithashtu në interesat tanë të përbashkët politikë, ekonomikë dhe të sigurisë.
- Duke rikujtuar Samitin e Selanikut të vitit 2003, BE-ja ripohon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Duke ndërtuar mbi progresin e arritur deri tani, partnerët e Ballkanit Perëndimor janë riangazhuar për perspektivën evropiane si zgjedhjen e tyre strategjike të qëndrueshme, duke përforcuar përpjekjet e tyre dhe mbështetjen e ndërsjellë. Besueshmëria e këtyre përpjekjeve varet nga komunikimi publik i qartë.
- BE-ja është e vendosur të përforcojë dhe të intensifikojë angazhimin e vet në të gjitha nivelet, me qëllim për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit, duke përfshirë përmes rritjes së ndihmës, në bazë të progresit të prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike të kryera nga Partnerët e Ballkanit Perëndimor.
- BE-ja mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për parësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit, veçanërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të personave, që u përkasin minoriteteve. Zbatimi i efektshëm i reformave nga ana e tyre mbështetet në këto themele. Shoqëria civile dhe mediat e pavarura luajnë një rol vendimtar në procesin e demokratizimit.
- BE-ja mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Kjo përfshin në veçanti gjetjen dhe implementimin e zgjidhjeve definitive, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, duke përkushtuar përpjekje shtesë për të siguruar pajtimin mes tyre.
- Ndërtimi i një rrjeti të dendur të lidhjeve dhe mundësive brenda rajonit dhe me BE-në është jetësore për afrimin e qytetarëve dhe ekonomive tona, si dhe për rritjen e stabilitetit politik, prosperitetit ekonomik, zhvillimit kulturor dhe shoqëror. Duke ndërtuar mbi progresin e bërë, përfshirë përmes nismave rajonale, ne angazhohemi të përmirësojmë thelbësisht lidhshmërinë në të gjitha dimensionet e saj: energjetike, digjitale, ekonomike, njerëzore dhe të transportit.
- BE-ja pranon të promovojë një mjedis miqësor për tregun dhe investimet në Ballkanin Perëndimor, si edhe për të përparuar më shpejt drejt ekonomisë digjitale dhe shoqërive të qëndrueshme dhe miqësore ndaj klimës, në përputhje me marrëveshjen e Parisit. Siguria energjetike do të prioretizohet, duke përfshirë përmirësimin e efikasitetit energjetik, ndërlidhje ndërkufitare më të mira, diversifikimin e burimeve dhe rrugëve, si edhe një përzierje të ekuilibruar të energjisë, e cila integron më mirë energjinë e rinovueshme.
- Theks i veçantë do të vihet në drejtim të krijimit të mundësive të mëtejshme për rininë, duke siguruar që ajo të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
- Për këtë qëllim, BE-ja përshëndet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, për të përshpejtuar implementimin e acquis-it në pajtim me Traktatet e Komunitetit të Energjisë dhe Komunitetit të Transportit, për të mënjanuar të gjitha barrierat administrative në kufij, për të përfunduar Tregun Rajonal të Energjisë Elektrike dhe për të zbatuar urgjentisht Planin Shumëvjeçar të Veprimit të Korrikut 2017 për Zhvillimin e Zonës Ekonomike Rajonale. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë këto përpjekje.
- BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor ndajnë shumë sfida sigurie, të kërkojnë veprim të koordinuar individual dhe kolektiv. Kur punojmë së bashku, ne jemi në mundësi të përballojmë këto sfida në mënyrë efektive. Bashkëpunimi ynë për të frenuar rrjedhjet e paligjshme të migracionit ka treguar vlerën e tij dhe do të zhvillohet më tej.
- Kundërshtimi i terrorizmit dhe ekstremizmit, duke përfshirë financimin, radikalizimin dhe kthimin e luftëtarëve terroristë të huaj, kërkon bashkëpunimin tonë të shtuar.
- BE-je dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor pranojnë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për transformimin politik dhe socioekonomik të rajonit dhe gjithashtu për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale, të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre. BE-ja përshëndet angazhimin e tyre për të ndërmarrë veprime të vendosura, në bashkëpunim me BE-në dhe me njëri-tjetrin, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kultivimit të drogës dhe kontrabandimin e qenieve njerëzore, drogës dhe armëve.
- BE-ja përshëndet kontributin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) në të gjitha aspektet e saj dhe pret një thellim progresiv të bashkëpunimit në këtë fushë, veçanërisht një nivel të shtuar të harmonizimit, sidomos në çështjet ku interesat e mëdhenj të përbashkët janë në rrezik.
- Dezinformimi dhe aktivitetet e tjera hibride do të luftohen së bashku përmes një bashkëpunimi më të madh në fushat e elasticitetit dhe sigurisë kibernetike, si edhe në komunikimin strategjik.
- Me qëllim për të përshpejtuar përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në fushat e lidhshmërisë dhe sigurisë, në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, sot, kur po hartohen aspektet relevante të Komunikimit të Komisionit të miratuara më 6 shkurt 2018, BE-ja ka nisur një Agjendë Prioritare të Sofjes për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, e cila është i bashkangjitur kësaj Deklarate. 16. BE mirëpret synimin e Kroacisë për të organizuar një Samit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë Presidencës së saj në vitin 2020.
- Ne theksojmë se Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor janë dakord me pikat e mësipërme. /tesheshi.com/