Suli dhe Leskaj në Kushtetuese – ky është kushti që opozita demokrate ka vendosur ndaj mazhorancës së majtë për t’iu rkthyer tryezës për reformën në drejtësi. Kreu Lulzim Basha, e bëri me dije sot këtë lëvizje politike gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, duke iu afruar dhe qëndrimit të ashpër të paraardhësit të tij, deputetit Berisha, të një dite më parë.
“A mund të ketë dialog kur njëra palë në tavolinë nxjerr armën? Sigurisht që jo. Edi Rama në fakt nuk vë armën në tavolinë, por bombën atomike kushtetuese. Po diskutojmë që të bëjmë disa ndryshime në Kushtetutë për drejtësi më të pavarur, për rregulla kushtetuese dhe ligjore, ndërkohë që Rama thotë që nuk dua të zbatoj rregullin aktual, që thotë se nëse një deputet kapet me fondet publike shkon në Gjykatën Kushtetuese”, tha Basha, duke patur parasysh deputetët Suli e Leskaj.
Por Basha shkoi akoma më tej kur në fjalorin e tij përfshiu dhe termin “terrorist”, duke e konfonduar atë me ngjarjet e fundit në Bruksel, për t’ja mveshur kundërshtarit politik, Edi Rama.
Ai e krahasoi kryeministrin me një terrorist teksa përmendi vendimin e Kushtetueses në rastin e shqyrtimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, dhe tha
“Nuk negociohet as Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pa zbatuar vendimin, dialogu me Edi Ramën është baraz me dialog me terroristët dhe Partia Demokratike nuk dialogon me terroristët”, u shpreh Basha. /tesheshi.com/