Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, janë përfshirë në një debat në distancë në lidhje me disa ndërtime në bregdetin e Qerretit.
Berisha akuzoi Dakon, përmes një mesazhi nga qytetari dixhital, në lidhje me këto palate, por kreu i bashkisë së Durrësit në reagimin e tij tha se Qerreti i përket bashkisë së Kavajës, ndaj dhe akuzat nuk qëndronin.
Në vijim Dako ironizonte Berishën, duke i kujtur edhe vilën në gjirin e Lalzit.
Por, në një reagim të dytë, ish-kryeministri ka hedhur akuza të forta, madje i kujton Dakos sesi tentuan ta hedhin nga kati i 15-të i një pallati, ndërsa ngjarjen në atë kohë nuk e denoncoi as Rama, por qyteti dixhital.
Reagimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha
Përgjigje Dakos!
Përshëndetje Gjush!
Së pari dënoj qëndrimin tënd shpërfillës ndaj qytetarit dixhital, për të cilin kurrë nuk duhet të ankohesh, sepse ti jeten e ke prej qytetarit dixhital, kur ai me guxim denoncoi marrjen tënde peng nga Shullazi dhe tmerri që të krijuan me provat që bënë për të të hedhur nga kati i 15 i një pallati.
Në atë kohë ishte jo Rama, por qytetari dixhital që denoncoi dhe të shpetoi, dhe ti nuk kundërshtove as dhe një presje të vetme nga ai status. Por si mos mirënjohës që je, dhe tani që kë marre Lul Berishën si menaxher të aferave tua, sulmon qytetarin dixhital.
Së dyti, e vlerësoj përgjigjen tuaj, në të cilen ti, duke u përpjekur të mohosh akuzat e qytetarit dixhital, faktikisht i pranon pothuaj plotësisht ato. Unë i botoj mesazhet e qytetarëve dixhital siç vijnë, nuk marr kurrë përsipër vërtetësinë e tyre, por kesaj radhe qytetari dixhital përveç mesazhit me fjalë ka dërguar dhe fotografinë e disa pallateve në rërë e pa leje në Qerret. Pallatet në thes nuk mund të futen, ato flasin me shume se sa 1 milione fjalë! Pretendimi juaj se qytetari dixhital qenkam unë nuk të mbron, por të akuzon sepse është thjesht refreni bajat i Ramës “fajin e ka Saliu”!
Së treti Gjush, vërtet Qerreti është në Kavaje dhe nuk është as në Durres dhe as në Surrel dhe se ti shumicën e krimeve urbanistike, mjedisore e ke kryer në Durres, por përsëri kjo nuk të mbron nga akuza e qytetarit dixhital pasi dihet mirë se për mafien nuk ekzistojne kufinj adminstrativ, krahinor madje as dhe shtetëror apo kombëtar.
Mafia si zot njeh vetëm fitimin. Kështu që me këtë argument ti vetem sa çon ujë në mullirin e qytetarit dixhital!
Ndaj dhe pa dëshirë të falenderoj, sepse faktikisht, si të thuash me argumentin që përdor, pranon se nuk je dorë jashtë në këtë aferë!
Së fundi, unë personalisht nuk di se të kujt janë pallatet e ndërtuara në rërë që ka dërguar me foto qytetari dixhital, por di me dokumenta, të cilat dhe i kam botuar, se ndërtimi i tyre ka filluar së paku 3-4 muaj para zgjedhjeve.
Qytetari dixhital mund të jetë ose jo i saktë për pronësinë ndaj dhe unë u bëj thirrje prokurorisë dhe autoriteteve vendore të Kavajes të ndërhyjnë me urgjencë për të zbardhur këtë aferë, në të cilën përveç shkeljeve të të gjitha ligjeve të ndërtimit, urbanistikës dhe mjedisit, kemi të bëjmë me larje të miliona euro para të pista! /tesheshi.com/