Ndërsa shumica e diplomatëve tëe huaj në Tiranë nuk ndodhet pasi janë me pushimet e fundvitit, ekipi i vetëm që nuk luan është ai i dy prourorëve amerikanë dhe dy europianët, të cilët prej dy javësh po trajnojnë ekipin që do të punojnë në Byronë Kombëtare të Hetimit dhe në Prokurorinë Speciale.
Por gjatë kësaj kohe nuk po humbet asnjë moment, pasi kanë nisur të përpunohen materialet, të cilat më pas do të jenë baza e hapjes së dosjeve të mëdha.
Në bërthamën tashmë të ngritur në Tiranë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që menaxhohet nga ndërkombëtarët dhe detyrë do të kenë ndihmën direkte të dy institucioneve shqiptare siç janë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria Speciale, ndodhen të ashtuquajturat “Dosje të Mëdha” të krimit dhe korrupsionit.
Njëra prej tyre, më e freskëta syresh e ardhur nga Britania e Madhe, si bashkëpunim prej DEA-s amerikane dhe Scotland Yardit britanik është një nga të bujshmet, ardhur nga arrestimet që janë bërë vetëm dy muajt e fundit në të gjithë Europën.
Grupi i kapur përbën edhe finalizuesit e një linjë trafiku kokaine që nis nga porti i Andverpen-it në Belgjikë dhe furnizon Britaninë e madhe me kokainë të sjellë nga Amerika e Jugut.
Ky është prej grupeve trafikante nga më të fuqishmit në Europë dhe kontrollon sasira të mëdha parash.
Krerët dhe anëtarët e kësaj organizate, tashmë të çmontuar totalisht, janë nga zona e veriut të Shqipërisë, por që në Britaninë e Madhe kanë investuar edhe pasuri të patundshme.
Por kjo është thjesht një kronikë, le ta themi e zezë, nëse krahasohet edhe me arrestimet e baronëve shqiptarë të drogës që janë kapur në tetor nga superaksioni i zhvilluar në disa qytete kryesore të Europës nga DEA dhe Europol, së bashku edhe me policinë shqiptare.
Sepse më e rëndësishme në të gjithë këtë zhvillim është se disa nga kokat e grupit kanë folur, dhe “madje shumë”, thuhet nga burime të grupit që ka qasje me dosjen.
Njeriu që ka folur është menaxheri i pronave të organizatës në Londër që janë dyqane të shtrenjta në një zonë elitare në kryeqytetin britanik.
I penduari ka rrëfyer ndër të tjera për thuajse të gjithë investimet në vite të parave të shitjes së kokainës nga Britania e Madhe.
Në atë pak gjëra që janë mësuar nga ky rrëfim, është se kemi të bëjmë me një rast që cilësohet i artë, pasi ai ka folur për një numër të madh të investimesh të parave të drogës në Shqipëri, të cilat sipas tij kanë një zinxhir shumë të fortë lidhjes me njerëz të fuqishëm në Tiranë.
Një burim diplomatik i tha tesheshi.com se kjo dosje ka plotësuar një analizë në lidhje me ekonominë kriminale, e cila nga organizma të rëndësishme ndërkombëtare është bërë edhe për të gjithë rajonin.
Sipas saj, Shqipëria ka rreth 20% më shumë të ekonomisë kriminale të investuar në industri, biznese, prona të patundshme, banka dhe sidomos në biznese që kanë të bëjnë me kontrata publike.
Është zbardhur e gjithë skema që ka 20 vjet që funksionon dhe ka lidhje shumë lart në politikën shqiptare. Sipas kësaj skeme, paratë e drogës janë pastruar duke hyrë në një itinerar aksionesh në banka dhe industri të shumta në vend.
Është e njëjta skemë që Roberto Saviano tha dy vjet më parë për investimet në Shqipëri të klanit të Camorra-s së Napolit në subjekte industriale në Shqipëri siç janë fasoneria, inertet por edhe materialet e tjera të ndërtimit. /tesheshi.com/