Trajneri italian i kombëtares shqiptare, Gianni De Biassi – Gani Abazi në versionin shqiptar, meqë posedon dhe nënshtetësi shqiptare, ka bërë me dije largimin e tij nga drejtimi i pankinës kuqezi, fill pas përfundimit të eliminatoreve të Botërorit.
Qëndrimin e tij e bëri të njohur gjatë një konference për shtyp, pas kthimit nga Izraeli, ku u shfaq i lehtësuar nga fitorja e pastër 3-0 në transfertë.
“Më vjen keq që pas ndeshjes me Izraelin shumë do të donin të bënin gati funeralin tim”, tha De Biassi në formë sfidante.
Pas 5 humbjeve radhazi u shtuan zërat që kërkonin largimin e tij, sidomos pas asaj me Luksemburgun në miqësore, por tashmë ai ka zgjedhur vetë të largohet.
Italiani bëri emër të madh pasi arriti që ta çojë Shqipërinë për herë të parë në një kompeticion famoz, siç është Europiani. Por nuk dihet nëse do mundet ta çojë dhe në Botëror. Rezultatet e deritanishme, paçka fitores shpresëdhënëse me Izraelin, premtojnë pak. /tesheshi.com/