Disa orë para takimit me Lihtenshtejnin, trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi tha se kundërshtari duhet të vlerësohet në maksimum, edhe pse bëhet fjalë për një skuadër modeste si.
“Çdo skuadër ka mundësi të krijojë rreziqe. Ne kemi punuar për të limituar në masimum rrezikun përballë portës tonë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqëndruar dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë gjatë ndeshjes. Duhet të kërkojmë të jemi më të zotët se kundërshtari dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse ndeshjet nuk fitohen pa nisur ende. Skuadra arrin të fitojë kur është e përqëndruar dhe kur luan shpejt. Kur jemi në këto parametra atëherë mund të vëmë në vështirësi çdo kundërshtar”, tha De Biasi.
Ai shprehu keqardhjen që takimit do i mungojë Sadiku:
“Sadiku ishte në formë shumë të mirë. Ka shënuar në Europa League dhe me Maqedoninë. Ishte i rëndësishëm dhe më vjen keq për të. Shpresoj të rikuperohet sa më shpejt por do të bëjmë gjithçka për të mos e ndier mungesën e tij”, shtoi më tej trajneri i kombëtares shqiptare.
Nëse Shqipëria fiton me Lihtenshtejnin, atëherë ky do ishte i pari rasti në historinë e saj të eliminatoreve për Botëror apo Europian, që merr 6 pika të plota në dy takimet e para në grupe. Dhe, nëse në takimin Itali – Spanjë do humbë njëra nga dy skuadrat, Shqipëria do renditet në vendin e dytë, gjithnjë po fitoi. /tesheshi.com/