Ndërsa Turqia lë pas festimet e Fitër Bajramit, me javën e re nis dhe raundi i dytë i bisedimeve për krijimin e një qeverie koalicioni.
Në bisedimet e javës së shkuar me tre partitë parlamentare, Davutoglu mori një mesazh pozitiv vetëm nga republikanët e CHP-së, partisë kryesore opozitare, me të cilën janë shtuar mundësitë, sado të vogla qofshin, që AKP-ja të krijojë një qeveri koalicioni. Ndërkaq, si nacionalistët e MHP-së, po ashtu dhe kurdët e HDP-së, e bënë të qartë se nuk kishin në plan të bëheshin pjesë e një qeverie të tillë, duke u prerë rrugën në njëfarë mënyre tratativa të mëtejshme.
Bisedimet me CHP-në këtë javë do të jenë fillimisht në nivel të dytë, por në të njëjtën kohë kryeministri në detyrë, Davutoglu, ka gjetur rastin t’u kujtojë krerëve partiakë të AKP-së në rrethe të jenë gati për zgjedhje të reja. Në një kohë që janë ngushtuar tashmë mundësitë për një qeveri të shumë partive, alternativa e zgjedhjeve të reja shfaqet më dukshëm në horizont. Zyrtarët e AKP-së, partisë fituese në zgjedhje, e kanë bërë të qartë se janë në favor të një koalicioni, por në rast të kundërt janë të përgatitur për të përballuar dhe një fushatë tjetër zgjedhore.
Të martën priten të takohen ministri i Kulturës, Omer Çelik, dhe zëvendëskryetari i CHP-së, Haluk Koç, për t’u pasuar të premten nga një takim i mundshëm i Davutoglusë me kryetarin e republikanëve, Kemal Këllëçdaroglu. Po ashtu gjasat janë që të ketë dhe një raund të tretë bisedimesh.
Në axhendën e bisedimeve një vend kryesor pritet të zërë çështja e një kushtetute të re. Një tjetër temë e ndjeshme është dhe ajo e uljes së pragut elektoral, me AKP-në të prirur për ta ndërmarrë diçka të tillë. Mendohet që të diskutohet dhe struktura e re e Këshillit Suprem të Gjykatësve dhe Prokurorëve (HYSK), me të dyja partitë të gatshme për ta ndryshuar atë ndërsa janë të pakënaqura. Politika e jashtme e qeverisë së AKP-së është kritikuar dendur nga partia kryesore opozitare, kështu që ajo duhet të zërë një vend të posaçëm në këto bisedime paraprake drejt formimit të një koalicioni.
Turqia pas shumë vitesh gjendet për herë të parë në një situatë të tillë, kur asnjë parti nuk mund ta krijojë e vetme qeverinë. Përvojat e saj të mëhershme me qeveritë e koalicionit nuk janë shpresëdhënëse, por një zgjidhje e tillë mbetet ende në rend të ditës. /tesheshi.com/