Historiania e njohur Valentina Duka, sot deputete e PD-së, në emër rë profesionalizmit ka dalë kundër partië së saj në trajtimin e çështjes së datës së çlirimit. E ftuar në Top Story për të folur rreth “28-ës apo 29-ës?”, znj.Duka ka ofruar një arsyetim që rrëzon të gjithë ngrehinën arsyetuese të PD-së për 29-ën si datë me kontekts ideologjik dhe jo si datë reale çlirimi me “gjermanin e fundit” të larguar nga toka shqiptare.
“Nuk mbështes tezën e kolegëve që thonë se mbledhja e këshillit e lëvizi datën për t’i shërbyer Jugosllavisë. Nëse Enver Hoxha do ta kishte bërë këtë sipas kësaj teze, në 1948 (kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë) do ta kishte hequr këtë datë”, deklaroi historiania Duka.
Është ky ndër të rrallat raste kur dikush, pavarësisht pozicionit politik, preferon të thotë të vërtetën në bazë të kritereve profesionale duke mos i tradhëtuar ato.
Në emission ishte dhe historiani Marenglen Kasmi, i cili solli një dokument nga arkivat gjermane ku bëhej e qartë se gjermanët e kishin lëshuar përfundimisht Shqipërinë më datë 29.
Kundërshtimi i PD-së për këtë datë nisi që pas ardhjes së saj në pushtet në vitin 1992, ku një vit më vonë e ndryshoi me dekret të veçantë duke ia bashkangjitur 28-ës, ku pra në një ditë do festohej edhe pavarësia edhe çlirimi. Kjo zgjati deri në vitin 1997, ku me ardhjen në pushtet të socialistëve, çdo gjë u kthye si në fillim. Megjithatë, kur PD u kthye në pushtet më 2005-ën, nuk preferoi ta luante sërish datën, duke bërë vetëm zgjedhjen e saj që si datë çlirimi të njihte 28-ën dhe jo 29-ën. /tesheshi.com/