Ivica Daçiç, Ministri i Jashtëm i Serbisë ka kërcënuar shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Në një miting elektoral në Metvegjë ku zhvillohen zgjedhjet lokale të dielën, kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, trashëgimtare e Millosheviçit ka përdorur një gjuhë tejet të vrazhdë.
“I paralajmëroj ata që të shtunën në Preshevë mos të themelojnë ndonjë Bashkësi paralele me atë që është në Kosovë. i paralajmëroj ata që mos të luajnë me zjarrin dhe ta respektojnë rendin Kushtetutës të Republikës së Serbisë. Ajo që Serbia është për dialog, nuk do të thotë se është e dobësuar, përkundrazi, ajo është e fuqishme, më fuqishme në 20-30 vitet e fundit”, deklaroi Daçiç.
Më pas ka ngatërruar deklaratën e Nishanit me atë të Ramës. “Sot kam dëgjuar se kryeministri shqiptar ka deklaruar se Serbia e ka njohur Kosovën me faktin që po bisedon në Bruksel. Kjo është gënjeshtër. Dua t’u them Shqipërisë dhe shqiptarëve që Serbia dëshiron marrëdhënie të mira në rajon dhe pakicës kombëtare shqiptare i garanton të drejta, por Serbia nuk do të lejojë që dikush ta përulë dhe ta cenojë integritetin e saj territorial”, deklaroi Daçiç. /tesheshi.com/