Njihet tashmë shtampizmi ligjërimor i PD-së në varfërinë e vet monumentale. Për ta thjeshtëzuar, nëse një çështje, ide, propozim (pak ose aspak këto) apo akuzë (dominante këto), kërkon më e pakta 50 fjali, nga fjalori demokrat, pa asnjë diferencë nga personi në person, pothuajse në uniformitet, ofrohen vetëm tre fjali.
Në këtë deficencë është përfshirë dhe një shtampë vlerësuese mbi Bashën: një politikan europian(!). E potencoi këtë së fundi dhe lëvruesja e letrave Flutura Açka, kandidate për deputete në listën e PD-së.
Do ishte interesante të dihej, nëse pyetej çdokush në PD-së, sipas rastit, qoftë dhe vetë Basha, se çfarë do të thotë “politikan europian”? Pra, cilat janë ato kritere që përcaktojnë që aksh person është politikan europian e aksh jo?
Fjala vjen, të thuash që Basha është politikan europian, kjo nënkupton më i pari Berisha nuk është europian. E nëse nuk është europian Berisha, një idhull i parënë i mendësisë dhe shijes politike demokrate, atëherë çfarë është?
Sipas kuptimin që ligjërimi demokrat i jep Bashës për të qënët europian, nënkupton se çdokush tjetër në politikë veç tij nuk është europian. Por në kontekst, “europianizimi” i Bashës në këtë rast ofrohet si vlerë unike, që do të thotë se askush tjetër në politikën shqiptare nuk e ka këtë vlerë, pra as Berisha. Po në kontekst, te “europianizimi” i Bashës është e mira, e te joeuropianizimi i të tjerëve, gjersa përjashtohet nga ky cilësim, është jo e mira, apo dhe e keqja.
Kuptohet, “europianizimi” i Bashës ofrohet si një avntazh ndaj kundërshtarit direkt e jo ndaj emrave të familjes së tij politike, sado joeuropianë të jenë ata.
Po prapë vjen pyetja natyrshëm: cilat janë këto cilësi, detaje, apo karakteristike unike që e bënkërkan Bashën një politikan europian? Nëse e marrim të mirëqenë së vërtet ekziston një paketë kriteresh për të qënit europian në politikë, më së pari është etika, ajo njerëzore dhe politike. Por siç është parë, tej një pangjashmërie fizike, apo dhe moshe e prejardhjeje sociale, Basha ka instaluar, ose tenton të instalojë tëpke egërshaninë e Berishës, e cila, më shumë se bela politike, është një katastrofë etike.
Për të qenë më konkret: a ishte gjesti i fundit i Bashës, ai i grisjes në publik të një urdhëri të Bashkisë së Tiranës për lirimin e zyrave të saj nga ana e Sali Shehut të FRD-së, një akt europian? Nëse po, me cilin politikan europian ka ndodhur ngjashmërisht kjo? Po paralajmërimi ndaj të parit të qeverisë se kudo ku do shkojë do haset me thirrje kundër tij (grupe militante), a përfshihet kjo te të qënit politikan europian?
Pra, për ta shtjelluar më tej: me ç’risi europiane i është imponuar Basha opinionit shqiptar, apo e ka tërhequr këtë të fundit qysh në prezantimin e tij si figurë e re politike? Ata që mbrojnë tezën e “europianizimit” të tij duhet ta thonë e shpjegojnë këtë.
Po, në fillimet e veta, Basha u vlerësua për një arsimim në Hollandë, krejt çuditërisht kjo, pasi në Hollandë e kudo në Perëndim, deri në SHBA, pas ‘90-ës janë shkolluar me dhjetra e qindra të rinj. Sosh madje ka dhe në PS e në PD, por askush nuk është ndaluar sa Basha te shkollimi i tyre në aksh vend e aksh e universitet. Pos kësaj, paradoksi tjetër që është Basha kurrë nuk ka shpalosur kulturën apo potencialin e vet universitar në llojin e profilit ku është diplomuar.
Në ligjërimin e tij mbi 15-vjeçar, si ministër, pra si vendimmarrës, apo dhe si kryetar opozite, në fjalime paralamentare, si intervistuar apo në deklarata shtypi, ka zero argumentime juridike deri më sot, ku së paku do mund të njihnim Bashën adapt të kulturës së tij juridike.
Nuk besohet që dhe kjo të jetë europiane! /tesheshi.com/