Serisë së gjatë të takimeve paraeliminatore në Champions League i vjen fundit pas përballjeve të kësaj të marte dhe të mërkure, për të vijuar më tej me fazën në grupe.
Pesë prej takimeve të dyta të play-off-it do të luhen sonte. Më e forta përballje do të jetë ajo mes Romës dhe Portos, duke patur parasysh se sfida e parë ka përfunduar në barazim 1-1. Një tjetër takim interesant do të jetë ai mes Monakos dhe Vilarealit. Francezët e kanë fituar 90-minutëshin e parë në Spanjë, por kjo nuk e zbeh aspak rëndësinë e ndeshjes së sotshme.
Tre takimet e tjera të kësaj të marte janë, Legia e Varshavës – Dundalk, Viktoria Pilzen – Ludogorec dhe Hapoel Bir Sheva – Sëlltik.
Nga sfidat e së mërkurës veçohet ai mes Rostovit dhe Ajaksit. Rusët kanë bazuar 1-1 në Holandë, me shpresën se janë pranë një arritjeje historike, pjesëmarrjes në fazën në grupe në Champions League.
Do të luhen dhe katër takime të tjera, posaçërisht, APOEL – Kopenhagen, Salcburg – Dinamo e Zagrebit, Mançester Siti – Steaua e Bukureshtit dhe Borusia e Mynshegladbahut – Jang Bojs.
Të kualifikuarit e play-off-it do të bëhen pjesë e fazës në grupe të aktivitetit. /tesheshi.com/