Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në kryeqytetin grek të Athinës për t’i bërë presion që Kievi zyrtar të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, sipas asaj çfarë është shprehur deputetja gjermane e Parlamentit Europian, Viola Von Cramon.
Ajo ka shkruar se “ka shumë gjasa që Vuçiç të ketë organizuar një takim me Zelensky-n për të bërë presion mbi Ukrainën: armë për mosnjohjen e Kosovës”.
“Unë me të vërtetë shpresoj që Zelensky ta kuptojë rrezikun politik që sjell një marrëveshje e tillë: pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, shton politikania gjerman.
Deklarata e saj është një përgjigje ndaj një njoftimi të mëparshëm nga përfaqësuesi ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili mbron njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Ukrainës.
Goncharenko ka shkruar sipër fotos së presidentëve të Serbisë dhe Ukrainës: “Zelensky u takua me presidentin e Serbisë”.
“Serbia është aleate e Rusisë. Ne nuk do të mund ta bindim Serbinë të jetë në anën tonë. Dhe kjo nuk është për shkak se ne jemi të këqij, por sepse populli i Serbisë e mbështet Rusinë në një shumicë të jashtëzakonshme”, tha ai.
“A na duhen atëherë? Po sigurisht. A duhet të kompromentojmë parimet tona për shkak të kësaj? Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, përfundoi Goncharenko. /tesheshi.com/