Dy emra po qarkullojnë së fundi si kandidatë për Bashkinë e Tiranës: Gjergj Bojaxhi dhe Albana Dhimitri. Emri i dytë është artikuluar sot në media si një prej zgjedhjeve të Ramës për të qenë pikërisht ish-zëvëndësja e tij për një kohë në Bashkinë më ta madhe dhe më të rëndësishme të vendit, si njeriu që duhet ta marrë drejtimin e këtij institucioni pas zgjedhjeve lokale të qershorit.
Albana Dhimitri i takon kallëpit të teknokrates, me tepër se atij të politikanes. Pra, nuk ka përngjasim në këtë pikë me Mimi Kodhelin. Znj. Dhimitri ishte një prej figurave kryesore të Bashkisë në mandatin e fundit të Ramës si kryebashkiak i Tiranës. Dhe për momentin ajo nuk ka asnjë angazhim në politikë.
Figura tjetër, jo pak tërheqëse, është ajo e Gjergj Bojaxhiut. Teknokrat dhe intelektual më shumë se politikan aktiv, ndër vite ai ka mbetur i parapëlqyeri për një pjesë të shoqërisë, si njeriu i papërlyer nga politika e ditës. Parapëlqime për të kanë dhënë dhe amerikanët, kur kanë parë tek ai njeriun e duhur që duhet të ishte në krye të PD-së, zbuluar kjo nga kabllogramet e famshme.
Sipas atyre çfarë shkruhen në media, Bojaxhi do futet në garë si kandidat i pavarur, por derisa ai nuk ka formatin e një njeriu që futet për të humbur, sipas aksiomës naive më tepër se modeste “e rëndësishme është të garosh”, gjasat janë që emri i tij të përfaqsojë një pakt politik mes palëve, të diktuar nga ndërkombëtarët. /tesheshi.com/