Ministri turk i Integrimit Evropian, Volkan Bozkir, deklaroi se nuk do ta njohin një vendim të njëanshëm, që mund të dalë në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 nga seanca e datës 15 prill në Parlamentin Evropian.
Volkan Bozkir pati një takim me përfaqësues të komunitetit turk në qytetin Beringen të Belgjikës, ku shkoi për të marrë pjesë në sesionin e 34-të të Komitetit të Përbashkët Këshillimor Turqi-BE.
Ai u ndal veçanërisht mbi ngjarjet e 1915-s, të ashtuquajtura “gjenocidi armen”. “Ne propozuam që të gjitha arkivat të hapen për historianët dhe bëmë të ditur se do t’i përmbahemi një vendimi, që do të dalë në këtë mënyrë”, theksoi ministri Bozkir. Ndërsa në një vlerësim për TRT-në, kreu i negociatave të Ankarasë me Brukselin theksoi se në historinë e Turqisë nuk ka asgjë për t’u turpëruar dhe shtoi se tashmë, Evropa ka nisur të kuptojë që bashkëpunimi me Turqinë është në dobi të saj.
“Turqit e Evropës nuk janë më punëtorë mysafirë, pasi ata janë integruar plotësisht në shoqëritë, ku jetojnë”, tha ministri Bozkir, duke nënvizuar se turqit evropianë duhet të japin patjetër votën e tyre në zgjedhjet legjislative të 7 qershorit.