Profesionet që nuk kanë forcë të mjaftueshme pune në Gjermani pritet të jenë shpëtimi për të gjithë ata profesionistë që kërkojnë azil në këtë vend. Grupi i punëmarrësve, pjesë e CDU-së sheh mundësinë që të zgjerohet kjo listë e profesioneve deficitare në mënyrë që të krijohen më shumë hapësira për azilkërkuesit nga Shqipëria dhe Kosova në tregun e punës gjerman.
“Ne duhet të njohim më shumë profesione deficitare që kanë përparësi. Në atë mënyrë, firmat gjermane do të mund t`i punësojnë më lehtë shqiptarët ose kosovarët”, ka thënë shefi i grupit të punëmarrësve në Bundestag, Peter Weis nga CDU, duke folur për gazetën “Rheinische Post”.
Lehtësi qasjeje në tregun gjerman, aktualisht ka për 20 profesione të konsideruara si deficitare, mes të cilave edhe për inxhinierë. Për profesionet e tilla nuk ka nevojë që Agjencia Federale e Punës të shqyrtojë fillimisht nëse ka në dispozicion shtetas gjermanë që do të kishte përparësi.
Nga ana tjetër, Weis ka hedhur poshtë propozimin e socialdemokratëve për viza pune në Ballkanin Perëndimor për ata persona që sigurojnë një kontratë pune me pagë minimale të garantuar. “Ne nuk mund të vendosim rregulla speciale që do të vlenin vetëm për Ballkanin Perëndimor. Ato rregulla pastaj do të duhej të vlenin edhe për të gjithë refugjatët tjerë”, ka thënë Ëeis. /tesheshi.com/