Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ka kërkuar një hetim ndërkombëtar lidhur me ngjarjet e Kumanovës.
“Harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, është thelbësore për stabilitetin demokratik dhe për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë”, është shprehur Bushati.
Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë, vijoi ministri.
Bushati ftoi që gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme t’i lënë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës euro-atlantike të Maqedonisë.
Po ashtu, ministri shprehu edhe mbështetjen aktive të Shqipërisë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO dhe për institucionalizimin e marrëdhënieve të Aleancës me Kosovën.