Ministria për Punë të Brendshme ka fshehur informacione lidhur me vdekjen aksidentale të gazetarit Nikolla Mladenov, por edhe hetimi është kryer në mënyrë tejet joprofesionale. Kjo ka qenë akuza e radhës e opozitës maqedonase, nga të ashtuquajturat bomba të përgjimeve.
Lideri i LSDM-së Zoran Zaev kërkoi hetim të ri, pasi siç tha, ka tregues se në aksidentin fatal të Mlladenovit ka qenë i përfshirë edhe një automjet tjetër. Zaev rikujtoi se në atë kohë qeveria deklaroi se nuk ka pasur përplasje me një automjet tjetër duke qenë se nuk kanë gjetur celularin e Mlladenovit, e as llogaritë fiskale. Kujtojmë se trupi kishte fluturuar 7 metra.
“Asgjë nuk është e vërtetë”,- tha Zaev.
Ai publikoi një mesazh porosi të ministres Jankullovska dërguar kryeministrit Gruevski, në të cilën informon se në veturën e Mlladenovit ka edhe një tjetër ngjyrë.
Zaev ju referua edhe raportit të hetuesisë, sipas të cilit në mënyrë jologjike pretendohet se Mlladenov ka fluturuar nga vetura por nuk ka as gjak dhe as xhama. Siç tha Zaev, në raport thuhet se trupi është gjetur 22 metra larg nga vetura ndërsa qeveria thotë shtatë.
Sipas liderit të LSDM-së, nëse nuk niset hetim i ri tani, me siguri do të ketë kur të ndërrohet pushteti./tesheshi.com/