Pas skandalit për shitblerjen e votës në kuadër të zgjedhjeve të 21 qershorit në bashkinë e Vorës, një qytetar ka denoncuar kryebashkiakun aktual të kësaj bashkie, Fiqiri Ismaili, i cili njëkohësisht është edhe kandidati aktual i Partisë Demokratike në këto zgjedhje.
Sipas dëshmisë së qytetarit, kryetari Ismaili e ka ftuar ta takojë në ambientet e firmës së tij, ku i ka dhënë 10 mijë lekë përkundrejt votës së tij.
“Më tha kryeplaku i fshatit se do të të takojë Fiqo te “Agroblend” dhe takimin e bëmë aty tek firma e tij. Ai më futi lekët në xhep dhe pashë që ishin 10 mijë lekë. Fiqiri Ismaili me premtoi se do më fuste në punë, pasi kam 6 muaj pa punë, dhe ne jemi 4 veta në familje”, rrëfen qytetari.
Ai ka bërë kallëzim në polici për lekët që i dha kryetari i bashkisë së Vorës, por shprehet se ndjehet i frikësuar për veten dhe familjen e tij.
“Kam deponuar me dëshirë në polici, por kam frikë. Kam frikë se mos do të kem probleme më pas. Unë kam 6 muaj pa punë, jemi 4 veta në familje”, thotë qytetari.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike në lidhje me këtë denoncim. PD ka akuzuar kreun e LSI-së, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit, z. Meta, i cili, sipas PD-së, po zbaton në Vorë një skenar kriminal, të hartuar në zyrat e LSI, dhe të vënë në jetë në bashkëpunim të ngushtë mes banditëve të skeduar të sjellë enkas nga brenda e jashtë vendit, me strukturat e kriminalizuara të shtetit që shkelin ditë përditë ligjin për Ilir Metën.
Sipas partisë më të madhe në opozitë, pjesë e skenarit kriminal të Metës është edhe inskenimi me metodat e sigurimit të shtetit i ngjarjeve dhe dëshmive të sajuara për të manipuluar opinionin publik.
“E vërteta që po dëshmohet çdo ditë në sytë e shqiptarëve në Vorë është se Ilir Meta po zbaton standardet e një organizate kriminale bashkë me taborrin e tij shtetëror e me persona me precedentë penalë, që po ushtrojnë çdo ditë presion, dhunë e terror. E gjithë kjo për interesat korruptive të Ilir Metës që kërkon me çdo kusht të marrë bashkinë e Vorës”,- tha Keltis Kruja.
Ai shtoi se Vora dhe banorët e saj nuk do të pranojnë kurrë thundrën e Ilir Metës që kërkon ta kthejë Vorën në çiflig personal për planet e tij korruptive. Në emër të PD-së, Kruja i ka kërkuar përfaqësuesve të OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA, prani sa më masive për regjistrimin e këtyre zhvillimeve që janë rekorde të zeza për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Askush dhe asgjë nuk do ti ndalë qytetarët e Vorës të ushtrojnë sovranitetin e tyre me votë. Fitorja e Partisë Demokratike dhe e Fiqiri Ismailit është e padiskutueshme”,- përfundoi Kruja.
/tesheshi.com/