Një hetim i Prokurorisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor ka zbuluar një skemë mashtruese financiare në fushën e kromit, me një vlerë rreth 1 milion dollarësh, për të cilën është vendosur nga gjykata masa e arrestit në burg për shtetasit Sokol Nasufi, Mehmet dhe Rexhep Dauti. Vendimet e gjykatës ndaj këtyre personave janë ekzekutuar pasditen e së Enjtes nga ana e forcave të policisë.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë plotësuar fatura fiktive shit-blerjeje të lëndës minerare, në bazë të të cilave kanë përfituar rimbursimin abuziv në vitin 2013.
Mësohet se Sokol Nasufi, në cilësinë e administratorit të kompanive “Eurospeed Transh Chrom” sh.p.k dhe “Euro Trade Minerals Group” sh.p.k., ka bashkëpunuar me subjektin “Elidon 6”, nën administrimin e vëllezërve Mehmet dhe Rexhep Dauti, në aktivitetin e shit-blerjes së kromit.
Ndërmjet dy palëve në marrëveshje tregtare, pra kompanive të Nasufit nga njëra anë dhe kompanisë së vëllezërve Dauti nga ana tjetër, ka pasur një mosmarrëveshje civile, për pagesën e munguar të 6 faturave, në vitin 2013. Nga ky proces civil, kanë rezultuar të dhëna shtesë, të cilat i kanë ardhur në ndihmë hetimit, pasi ka rezultuar e provuar se kompanitë kanë përdorur fatura fiktive.
Nga hetimet, sasia e kromit e shënuar në faturat e shitjes të subjektit Elidon 06, është një sasi kromi e vjedhur nga dy subjektet tregtare “Eurospeed Transh Chrom” sh.p.k dhe “Euro Trade Minerals Group” sh.p.k.. Ndërsa subjekti “Elidon 06” është përdorur për të bërë dokumentimin e mallit krom, duke qenë se ka liçensë minerare dhe është subjekt që ushtron aktivitet në këtë fushë për lëshimin e faturës së shitjes. Pasi ka kryer këto veprime, shtetasi Mehmet Dauti, ka prishur bashkëpunim me shtetasin Sokol Nasufi dhe, në kushtet kur shoqëria e tij, për shkak të veprimeve të paligjshme është ngarkuar me vlera të larta detyrimi, ai ka paraqitur kallëzim penal kundër Nasufit. Gjithashtu, Mehmet Dauti i është drejtuar civilisht edhe gjykatës, ku ka kërkuar arkëtimin e faturave fiktive.
Kjo lëvizje dyshohet se është një manovër për të shmangur përgjegjësinë penale, si dhe detyrimet tatimore.
Nga verfikimi i situatave financiare të deklaruara në tatime, të subjekteve “Eurospeed Trans Chrom”, “Euro Trade Minerals” dhe “Elidon 06”, rezulton se këto subjekte i kanë deklaruar në tatime 6 faturat objekt hetimi, si në librat e blerjes dhe shitjes, në FDP-të dhe të përfshira në bilancet e tyre. Si rezulat e veprimeve të kryera, shtetasit dhe subjektet nën hetim, rezultojnë detyrime të papaguara nga shoqëria “Elidon 06” në vlerën 92.346.977 lekë.
Prokuroria e Tiranës kërkoi nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Sokol Nasufi, si edhe për Mehmet dhe Rexhep Dauti, të dyshuar për veprat penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, dhe “Falsifikimit të dokumentave” të kryer në bashkëpunim. Prokuroria ka krijuar dyshime po ashtu, se skema mashtruese në fushën e kromit është më e gjerë dhe për këtë arsye po vijojnë hetimet./tesheshi.com