Bindja Demokratike e drejtuar nga Astrit Patozi, një grupim i përbërë nga ish-demokratas anti-Basha, ka sjellë tjetër përplasje në KQZ, ku janë kundërshtuar nga PD e mbrojtur nga PS, lidhur me regjistrimin si subjekt zgjedhor.
Vërtetimet e Kuvendit se Bindja Demokratike mbështetet nga dy deputetët Lefter Koka dhe Andi Përmeti sollën kundërshtimin e fortë te Ivi Kaso i cili kërkoi mosregjistrimin e kandidatëve me argumentin se ato nuk plotësojnë asnjë nga parashikimet e sanksionuara në nenin 68 të Kodit Zgjedhor.
“Duhet që subjekti të ekzistojë prej 6 muajsh. Ose duhet që subjekti të mbledhë firmat 1% të votuesve, ose të jetë i çertifikuar më parë në zgjedhje dhe të të zotërojë, ose një mandat deputeti 6 muajt e fundit, ose një mandat këshilltari”, tha Ivi Kaso, juristi i PD-së në KQZ.
Por nga PS erdhi kundërargumentimi me precedentët e regjistrimit të FRD-së dhe LIBRA-s.
“Ne kemi regjistruar 3 parti, të cilat mbështeteshin nga kandidatë që nuk e kishin marrë mandatin parlamentar, si përfaqësues të partisë që e kishte emëruar, por e kishin ndërruar në momentin e rrugës”, u tha nga Bledar Skënderi, jurist i PS-së.
Nga ana tjetër, Patozi në Top Talk deklaroi se me firmën e marrë nga deputeti Lefter Koka i LSI-së, e kishte qepur ligjërisht regjistrimin.
“E kam marrën zotin Koka, për siguri. Sepse e dija që gjuetia e shtrigave ndaj Bindjes Demokratike do të vazhdonte dhe do të përdorej si një argument për të rrëzuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhje. E kam marrë për rezervë. E falenderoj që pranoi. Firma e zotit Koka për BD, nuk do të thotë se ai u bë me demokrat dhe unë u bëra i majtë. Ai vetëm ka dhënë një akses politik që kjo parti lejohet të garojë. Këtë mund ta bënte edh enjë socialist e nuk do të kishte asgjë të keqe”, sqaroi Patozi.
Ndërkohë, “Bindja” regjistroi këto kandidatët të fundit për garën e 30 qershorit:
Arben Skënderi në Tiranë
Valbona Mezini në Vlorë
Valbona Sakollari në Durrës
Leonard Olli në Korçë
Salvador Kaçaj në Lezhë
Ylber Gjeta në Kamëz