Më shumë se 25,000 emigrantë kanë mbërritur në brigjet britanike që nga fillimi i vitit 2024, tregojnë shifrat zyrtare.
Ky vit është veçanërisht i vështirë për shkak të numrit të viktimave, 46 persona humbën jetën duke u përpjekur të kalonin Kanalin Anglez me varka të pasigurta, raporton AFP.
Më shumë se 1,400 emigrantë u larguan nga Franca dhe kaluan La Manche-n të shtunën dhe të dielën, duke e çuar numrin e largimeve në 25,052 që nga janari, tha Zyra e Brendshme e Britanisë.
Kjo është katër për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por është 21 për qind më pak se numri i kalimeve të regjistruara në të njëjtën periudhë në 2022, viti rekord kur 45,000 emigrantë mbërritën në Britani përmes Kanalit Anglez.
Dramat kanë ndjekur njëra-tjetrën që në fillim të verës, periudhë kur numri i tentativave për kalim zakonisht shtohet. Të paktën 46 persona kanë humbur jetën që nga janari 2024, viti më i keq për sa i përket viktimave, krahasuar me 12 në 2023.
Protestat kundër emigrantëve
Autoritetet britanike thonë se kontrabandistët po mbipopullojnë gjithnjë e më shumë anijet, me një mesatare prej 52 pasagjerësh për anije krahasuar me vetëm 13 në 2020.
Reduktimi i emigracionit legal dhe ilegal ishte një prioritet i qeverisë konservatore në pushtet deri në korrik. Qeveria laburiste që mori pushtetin ndan këtë qëllim, por mbron një politikë më “humane”.
Që nga ardhja në pushtet në korrik, kryeministri laburist Keir Starmer ka braktisur një plan të diskutueshëm për të deportuar azilkërkuesit e parregullt në Ruandë, por është zotuar të forcojë luftën kundër bandave të kontrabandës.
Brenda disa javësh nga mbërritja e tij në Doëning Street, Starmer u përball me protesta të mëdha kundër emigrantëve në Angli dhe Irlandën e Veriut.
Gjatë një vizite në Romë javën e kaluar, Starmer vlerësoi politikat e migracionit të koleges së tij italiane të ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, e cila tërhoqi kritika nga brenda partisë së tij. /tesheshi.com/