Ndonëse me pak vonesë, por me një reagim mjaft të ashpër Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ka rreaguar ndaj vendimit të komunës Butel në Shkup për ndërtimin e një kryqi në gjatësi prej 55 metrave në mes të shqiptarëve dhe myslimanëve. Sipas tyre ky është vetëm edhe një provokim i radhës i cili po shqetëson besimtarët mysliman në tërë vendin.
“Bashkësia Islame në Maqedoni me indinjatë po i përcjellë zhvillimet e fundit lidhur me iniciativën e ndërmarë për vendosjen e një kryqi grandioz në lagjen Butel të Shkupit. Thjeshtë, jemi të habitur nga papërgjegjësia e atyre që me aq lehtësi e kanë nisur këtë provokim të radhës i cili po i shqetëson tej mase besimtarët muslimanë në tërë vendin. Aq më tepër, po na habitë fakti se pushteti qendror dhe një pjesë e mediave janë tërësisht indiferentë ndaj këtij akti që prekë thellë në raportet ndërfetare në këto kohë të një paqartësie politike që ka kapluar vendin” thuhet në reagimin e BFI-së.
Me qëllim që të mënjanojnë tensionet e krijuara pa nevojë nga ky provokim i dikujt që nuk e dëshiron të mirën e këtij vendi e që simbolet fetare po i keqpërdorë për të destabilizuar marrëdhëniet ndërfetare e ndërnacionale, BFI apelon që urgjentisht të shfuqizohet vendimi për vendosjen e kryqit në lagjen Butel.
“Po përkujtojmë se në komunën Butel, gati gjysma e banorëve i takojnë besimit Islam kurse përbërja nacionale e tyre është e shumëllojshme. Nëse dikush ka pasur për qëllim që me ndërtimin e kryqit të “revanshohet” për vendosjen e shqiponjës në komunën e Çairit, po theksojmë se shqiponja është simbol kombëtar kurse kryqi është simbol fetar, andaj nuk paraqet “kundërpërgjegje” adekuate”, thuhet ndër të tjerash nga BFI.
Vendimin për vendosjen e kryqit të lartë 55 metra këshilli komunal i Butelit në Shkup e ka marrë 1 javë pas vënies së Shqiponjës dy krerëshe nga komuna ngjit me Butelin, ajo e Çairit. /tesheshhi.com/