Trajneri i Anderlehtit në kampionatin belg, e ish-lojtari i përfaqësueses shqiptare vite më parë, ka shumë të ngjarë që të drejtojë në sezonin pasues një ekip në Superligën turke.
Për të është folur edhe për një mundësi kalimi te Nanta në Francë, apo edhe në kombëtaren kuqezi në rast të largimit të trajnerit aktual, por duket se Trabzonspori mbetet vendmbërritja e tij më e mundshme.
Shtypi sportiv turk e bën thuajse të kryer vënien e tij në krye të Trabzonsporit.
Mes shumë emrave kandidatë, Besnik Hasi është zgjedhja e parë e skuadrës turke, dhe e tërë vëmendja është e përqendruar tek ai.
Presidenti i Trabzonsporit, Muharrem Usta, është takuar javën e shkuar me Hasin, dhe gjatë kësaj jave do të ketë një takim të dytë mes tyre.
Trajneri i Anderlehtit paguhet 350 mijë euro në vit, kurse te Trabzonspori i është propozuar një pagesë prej 600 mijë eurosh. Kjo është ajo çka njoftohet në faqet sportive turke.
Sipas tyre, nëse nuk ndodh diçka e papritur, me 90 për qind Besnik Hasi do të firmosë për Trabzonsporin. Madje një pjesë e shtypit turk ka dhënë lajmin se tanimë është arritur një marrëveshje në parim midis dy palëve. /tesheshi.com/