Nga Shkëlzen Rrecaj
Besim Hasani, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, beson se për momentin sporti është e vetmi me të cilin mund të krenohet Kosova në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, është mjaft e nevojshme investimi në sport për ta bërë të mundur që Kosova të avancojë në njohjen ndërkombëtare…
Z.Hasani, e dimë se sporti është “ambasador” dhe promovues i kulturës së një vendi, por sa ka arritur ky aktivitet që ta prezantojë Kosovën në arenën ndërkombëtare?
E vërtetë, sportistët e një vendi janë “ambasadorët” më të mirë të tij, por duhet kuptuar sportin edhe si një mjet i cili e ruan dhe përmirëson shëndetin e çdo njeriu, po ashtu duhet kuptuar se sporti ndikon në rritjen e përgatitjes fizike të njeriut dhe të të riut. Po ashtu, sporti ka shumë elemente tjera që duhet ta bëjë çdo njeri, çdo qytetar të Kosovës që të merret me sport. Realisht ne këtë mesazh së pari duhet që ta kuptojmë vetë brenda vetes dhe pastaj ky mesazh të merr përmasa dhe të shpërfaqet në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim nuk jam shumë i kënaqur, por jemi duke bërë përpjekjet e duhura që vërtet ta përcjellim një mesazh që do ta plotësonte edhe pyetjen që bëtë.
Ju tashmë jeni pranuar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, por a ka kushte që vendi ynë të ketë përfaqësim të denjë në garat ndërkombëtare?
Cilin do qytetar që do e pyesnit, se me çka mund të krenohet Kosova, jam i bindur që do thoshin vetëm me sport. Prandaj në këtë formë desha t’i përgjigjem pyetjes suaj. Ne jemi pranuar ndërkombëtarisht, por ne do ta arsyetojmë në mënyrën më të dinjitetshme të mundshme pranimin dhe këtë të drejtë që na është dhënë. Ne qysh në ketë kohë kemi rezultatet me të cilat do të krenohej çdo shtet. Ne kemi xhudisten më të mirë në botë, me të cilën krenohemi. Por, fatbardhësisht ne kemi edhe rezultate tjera me të cilat mund të krenohet Kosova, kështu që ne nuk po hymë në arenën ndërkombëtare, në sportin ndërkombëtar të pa përgatitur. Por, jemi shumë të përgatitur dhe bota do të dëgjojë për vlerat që i kanë të rinjtë e Kosovës në fushën e sportit.
Kosova ka shumë talente, por edhe probleme siç janë kushtet, infrastruktura, kuadri profesionist, etj. A po bëhet mjaftueshëm për zhvillimin e sportit nga institucionet e vendit dhe sa mbështetet KOK-u nga to?
Detyra e shtetit është që të krijojë sistem dhe infrastrukturë ku mund të ketë qasje çdo qytetar i Kosovës, pavarësisht nga vjen, kush është dhe aftësitë e tij fizike. Pra në ketë drejtim shteti duhet që të investojë shumë më tepër në infrastrukturë, por në mënyrë që të gjithë të rinjtë e Kosovës të kenë mundësi të merren me sport, qofshin ato salla sportive të mbyllura apo të hapura dhe për të gjitha sportet, të cilat ekzistojnë dhe për të gjitha kategoritë e njerëzve, si për të rinjtë, të moshës së mesme dhe për të vjetrit. Dhe në ketë drejtim unë jam i vetëdijshëm se ka shumëçka për t’u dëshiruar.
Mirëpo, duke marrë parasysh rrethanat ekzistuese i heqim disa sporte, por për disa sporte ka kushte jo vetëm për stërvitje por edhe për organizim të garave me karakter ndërkombëtar. Por, ajo që është imperativ e që duhet me shpejtësi të zgjidhen janë stadiumi olimpik, pishina olimpike, si dhe stazat për vrapim të të rinjve. Por edhe për disa sporte specifike sidomos ato dimërore p.sh për karling (curling), hokej dhe skejting (scating) etj.
Sa i plotëson kushtet stadiumi olimpik “Adem Jashari” për ta zhvilluar ndonjë garë atletike apo ndonjë disiplinë tjetër?
Realisht, kaherë është quajtur stadium olimpik mirëpo, është larg atyre kushteve të cilat nevojiten për t’u barazuar me shtetet e zhvilluara. Sidoqoftë një ekip që ka arritur nga FIFA ka pranuar që aty të zhvillohen ndeshjet miqësore ndërkombëtare. Edhe pse i plotëson disa kushte, aty duhet të investohet e unë shpresoj që me partneritetin privato-publik nëse ka vullnet të mirë politik mund të bëhet një zgjidhje edhe përkundër që jemi në rrethana të një ekonomie të pazhvilluar, një papunësi e madhe dhe ka prioritete të shumta, por unë besoj që me një qasje pak më të mirë ndaj sportit mund të zgjidhet edhe problemi i stadiumit olimpik “Adem Jashari”.
Si i vlerësoni rezultatet e garuesve tanë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare?
Vetëm në Federatën e Xhudos i kemi diku 12-13 medalje të arritura në rrafshin ndërkombëtar, i kam parasysh kampionatet evropiane dhe botërore por edhe në Grand Pri të ndryshme. Vërtet këto janë inkurajuese, por kemi edhe rezultate të mira edhe në sportet tjera jo-olimpike, kemi arritje të normave evropiane, botërore, sportistë të cilët kanë arritur normën olimpike, kanë fituar pikë olimpike etj. Kështu që konsideroj që Kosova në këtë drejtim qëndron mirë.
Z.Hasani, duke i patur parasysh arritjet e shumë shqiptarëve nga Kosova në Perëndim, cili është angazhimi juaj që këta yje të përfaqësojnë vendin e tyre të lindjes?
Angazhimi ynë ka qenë strategjik, i orientuar që së pari të pranohet Komiteti Olimpik i Kosovës dhe kjo është arritur në dhjetorin e vitit të kaluar, kur më 9 dhjetor Kosova u pranua me të drejta të plota në KON. Realisht kjo i mundësoi shumë federatave të tjera që të pranohen nga federatat përkatëse ndërkombëtare dhe ky status i yni tash i mundëson çdo sportisti, me normë apo pa normë olimpike, evropiane e botërore, nëse duan ata, nëse shprehin vullnetin mund të marrin pjesë për Kosovën.
Z.Hasani, ju para disa ditësh morrët lajmin e mirë që Federata e Taekwondo-s së Kosovës u pranua në Federatën Botërore të kësaj disipline sportive. Dhe kjo ndodhi pikërisht në Rusi…
Padyshim është një lajm i mirë, lajm të cilin unë personalisht e kam pritur, sepse kjo federatë ka qenë e pranuar përkohësisht e tash është pranuar edhe me të drejta të plota dhe realisht asnjë federatë nuk do duhej të ketë pengesa për t’u pranuar në arenën ndërkombëtare, pasi Komiteti Olimpik i Kosovës është i pranuar me të drejta të plota. Këtu Taekwondo-ja ka pasur më tepër problem rreth udhëtimit, meqenëse kampionati botëror dhe asambleja janë mbajtur në Chelyabinsk të Rusisë, e dihet që Rusia nuk e njeh shtetin tonë, nuk i njeh pasaportat e Kosovës. Por, falë një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm me KON-in dhe me Federatën Botërore të Taekwondo-s iu është mundësuar që të udhëtojnë delegacioni katër anëtarësh.
Ndërsa organizatori, në ketë rast Federata e Taekwondo-s së Rusisë, së bashku me qeverinë e tyre kanë tentuar që t’iu bëjnë pengesa në udhëtim, por edhe që të mos paraqiten me flamurin dhe himnin e Kosovës. Delegacioni i Kosovës i ka pasë udhëzimet që nëse nuk trajtohet i barabartë me 200 e sa federata të tjera, assesi mos të marrë pjesë në gara. Në ketë drejtim na ka mbështetur edhe KON-i, edhe Federata Botërore e Taekwondo-s.
Delegacioni ynë ishte prezent atje dhe janë pranuar me të drejta të plota dhe unë besoj që sot janë duke marrë pjesë me flamurin dhe himnin e Kosovës, dhe nëse eventualisht fitojmë ndonjë nga tri vendet e para atëherë do të ngrihet flamuri, e nëse fitojmë vendin e parë do të intonohet himni i Kosovës në mes të Rusisë.
Në këtë aspekt, cili është kontributi i KOK-ut që edhe federatat tjera të pranohen ndërkombëtarisht?
Padyshim, kontributi është i jashtëzakonshëm sepse ka njëzet vite që Komiteti Olimpik ka bërë përpjekjet e jashtëzakonshme për t’i ndihmuar federatat të pranohen, sepse ka qenë një kusht minimal që pesë federata të jenë të pranuara, e pastaj KOK-u të mund të aplikojë. Më parë kanë qenë të pranuara 13 federata olimpike dhe me pranimin e KOK-ut realisht u është hapur dera të gjitha federatave tjera që të pranohen. Kemi vështirësi me FFK-në pasi UEFA është organi i parë i cili duhet ta pranojë një federatë të re, ndërsa ata e kanë kusht që aplikuesi në këtë rast Federata e Futbollit t’i takojë një shteti të pavarur e të njohur nga Kombet e Bashkuara.
Meqenëse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara na shfaqet kjo pengesë. Por, sidoqoftë nuk ka kurrfarë kuptimi që KOK-u të jetë i njohur e një federatë e atij Komiteti Olimpik të mos jetë e pranuar nga federata ndërkombëtare. Prandaj ata janë të obliguar të bëjnë një zgjidhje. Zgjidhja mund të behët me ndryshimin e statutit të UEFA-së, respektivisht me trajtimin e FFK-së si një rast sui generis dhe ta bëjnë një zgjidhje të këtij problemi, e në këtë drejtim unë jam optimist se deri në mars edhe FFK-ja do të pranohet në UEFA dhe FIFA.
Ju e keni konfirmuar pjesëmarrjen në Lojërat e para Olimpike Evropiane – Baku 2015. Si shkojnë përgatitjet e përfaqësuesve tanë për këtë Olimpiadë dhe çfarë rezultatesh prisni nga ajo?
Që nga pranimi në KON, menjëherë pas saj jemi pranuar edhe nga Komiteti Olimpik Evropian dhe nga ai moment jemi ftuar që të marrim pjesë në Baku, pra trajnerët dhe sportistët por edhe KOK-u, duke përfshirë edhe opinionin e gjerë kanë qenë të njoftuar që Kosova do të marrë pjesë me sportistët e saj në lojërat e para inauguruese evropiane “Baku 2015”. Mirëpo, nuk është ditur se cilët sportistë do të kualifikohen, pra cilët do të ftohen. Por, sidoqoftë pak a shumë kemi pasur një orientim dhe në ketë drejtim talentet të cilët i kemi identifikuar dhe i kemi shpërblyer, qoftë nga qeveria jonë, qoftë nga solidariteti olimpik me ta kemi punuar intensivisht dhe shumica prej tyre do të jenë prezent në Baku.
Ata janë duke u përgatitur mirë, janë duke u përgatitur nga dita në ditë, për ta do të ketë përgatitje edhe në vazhdim. Shumë prej tyre tashmë janë në përgatitje jashtë vendit e sipas disa informatave që ka KOK-u, janë në formë të mirë dhe unë shpresoj që do të paraqitemi në mënyrë të dinjitetshme në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, ku do të defilojnë me flamur dhe me himn. Për herë të parë Kosova do të marrë pjesë në një garë të organizuar nga Lëvizja Olimpike Evropiane. /tesheshi.com/