Në një intervistë të dhënë për televizionin danez TV2, shefi i regjimit sirian ka deklaruar se do të vazhdojë të luftojë me rebelët gjersa ata ta lënë Halepin. “Nuk ka alternativë tjetër,” i ka thënë Beshar Esadi intervistuesit.
Esadi i ka paralajmëruar kryengritësit në Halep se nëse nuk arrijnë një marrëveshje me qeverinë siriane, forcat e tij nuk do të kenë alternativë tjetër, veçse t’i nxjerrin ata nga qyteti.
Ndërkaq, në një vizitë në Moskë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, ka thënë se nuk ka justifikim për sulmin e rrëmbyeshëm mbi Halepin.
“Çfarë po ngjet në Halep është e pashembullt. Asgjë nuk mund ta përligjë një rrëmet të tillë zjarri dhe vdekjeje,” kanë qenë fjalët e tij pas takimit me homologun rus, Sergei Lavrov.
“E takova Lavrov-in për t’i thënë përballë se askush nuk mund ta tolerojë këtë situatë,” ka shtuar Jean-Marc Ayrault.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë sot një takim të jashtëzakonshëm mbi Sirinë, pak orë pasi i dërguari i posaçëm, Staffan de Mistura, deklaroi se pjesa lindore e Halepit mund të shkatërrohet plotësisht në muajt e ardhshëm nga fushata ajrore ruse dhe siriane. /tesheshi.com/