Pas paralajmërimit të zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani se deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi do të jetë kryetari i parë shqiptar i Kuvendit, me ç’rast do të realizohet premtimi i BDI-së që njëri nga 3 postet kryesore, si kryeministri, presidenti apo kryeparlamentari të jetë shqiptar, kanë reaguar nga Lëvizja BESA.
Ata njoftojnë se kryesia qendrore e Lëvizjes BESA nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me mbështetjen e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi, porse do propozojnë kandidatin e tyre.
“Lëvizja BESA nuk ka marrë vendim për mbështetjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit. Vendimi i fundit i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA është që BESA ta propozojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit”, ka shkruar në rrjetin social facebook, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani. /tesheshi.com/