Ministri turk i financave, Berat Albajrak tha të enjten për investitorët ndërkombëtarë në një telekonferencë se Turqia do të dalë nga “luhatjet e kursit të këmbimit” më të fortë se kurrë.
Albayrak bisedoi me rreth 6 mijë investitorë për t’i informuar ata për gjendjen aktuale të ekonomisë turke.
NTV transmeton se Albayrak u tha investitorëve se bankat turke janë “të shëndetshme dhe të forta” dhe se prioritet do të mbetet lufta kundër inflacionit, futja e reformave strukturore dhe politika e rreptë monetare.
Siç thuhet, ministri tha se nuk do të ketë kufizime mbi rrjedhën e parasë.
AP thotë se investitorët ndërkombëtarë shqetësohen për borxhin e madh të jashtëm të Turqisë dhe për vendimin e presidentit Erdogan për të mos lejuar që banka qendrore të rrisë normat e interesit për të mbështetur monedhën, të cilën ekspertët besojnë se është e nevojshme.
Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz tha të enjten se ekonomia turke ka një domethënie të madhe për Gjermaninë, si dhe për Bashkimin Evropian.
E ndërkohë, Albayrak tha kabineti nuk do të ngurrojë të ofrojë mbështetje për sektorin bankar, i cili është i aftë të menaxhojë luhatshmërinë aktuale.
Turqia nuk ka plane për të kërkuar ndihmë financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe në vend të kësaj do të fokusohet në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, tha ministri, duke shtuar se qeveria do të arrijë qëllimet e disiplinës fiskale duke bërë shkurtime të caktuara të shpenzimeve.
Duke komentuar mbi një lëvizje të pashembullt të Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj një aleati të NATO-s, Albayrak tha se Turqia do të bashkëpunojë këtë periudhe me të tjerë partnerë dhe veçoi Gjermaninë si të tillë. Duke nënvizuar nevojën për të koordinuar, ai kujtoi se “shumë vende të ndryshme” u përballën gjithashtu me sanksionet e SHBA.
Albayrak tha të enjten më vonë se ulja e inflacionit është përparësia kryesore e Turqisë. “Ne duam të reduktojmë inflacionin në shifrat e veta sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai. /tesheshi.com/