Mes presionit që Europa të bëjë më shumë në mbrojtjen e saj, shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një plan kredie prej 150 miliardë eurosh për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2030, duke përfshirë projekte të përbashkëta, prokurime të reja dhe rimbushje të stoqeve, raporton Anadolu Agency.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, konfirmoi marrëveshjen mbi platformën X të mërkurën, duke e quajtur atë “një hap të rëndësishëm drejt një Evrope më të fortë”.
“Kjo përmbush angazhimet e marra nga udhëheqësit e BE-së në mars, duke i ndihmuar shtetet anëtare të investojnë së bashku në mbrojtjen evropiane dhe duke forcuar sigurinë tonë të përbashkët”, tha ai.
Polonia, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, njoftoi se “sa më shumë të investojmë në pajisjen e ushtrive tona, aq më mirë do t’i pengojmë ata që duan të na dëmtojnë”.
Për shkak të presionit nga administrata e re amerikane mbi aleatët e NATO-s – shumica e të cilëve janë gjithashtu anëtarë të BE-së – për të rritur investimet në mbrojtje, BE-ja ka filluar të kërkojë strategji të reja mbrojtëse.
Si pjesë e këtyre përpjekjeve, Komisioni Evropian paraqiti një strategji të re të Librit të Bardhë në mars me qëllim rritjen e shpenzimeve dhe prodhimit ushtarak deri në vitin 2030. Një komponent kyç, instrumenti i Veprimit për Sigurinë për Evropën (SAFE), përfshin një paketë kredie deri në 150 miliardë euro.
Përveç anëtarëve të BE-së, vendet që kanë nënshkruar marrëveshje partneriteti me bllokun për sigurinë dhe mbrojtjen janë gjithashtu të pranueshme për të marrë pjesë në SAFE. Bashkimi Europian ka lidhur marrëveshje të tilla me Norvegjinë, Moldavinë, Korenë e Jugut, Japoninë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në samitin BE-Mbretëria e Bashkuar në Londër të hënën, të dyja palët ranë dakord që industria britanike e mbrojtjes mund të fitonte gjithashtu akses në planin SAFE. /tesheshi.com/