Noha Berhan, basketbollistja 18-vjeçare muslimane që aktivizohet me Huddinge, një ekip amator i Stokholmit në Suedi, mund të luajë me hixhab.
Leja ka ardhur nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, FIBA, që ka njoftuar të enjten se ajo do të lejohet të mbajë hixhab gjatë ndeshjeve.
Megjithatë, vendimi është i përkohshëm, gjer në fund të janarit të 2017-s, ndërsa zyrtarët e FIBA-s do të mblidhen sërish për ta diskutuar çështjen.
I njëjti organizëm e kishte ndalur basketbollisten e re muslimane dy muaj të shkuar që të luante me hixhab për arsye sigurie.
Noha Berhan, vajza e cila luan basketboll që shtatë vjeç, e ka bërë të qartë më herët se ndonëse ishte e dhënë pas kësaj loje, nuk ishte e gatshme që ta hiqte hixhabin. /tesheshi.com/