Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka vizituar dy efektivët e policisë, të cilët ndodhen në spitalin Traumës në Tiranë, pas plagëve të marra gjatë një operacioni në Lazarat, ku humbi jetën një tjetër efektiv policie.
Ai kërkoi që të bëhet transparencë mbi këtë ngjarje, ndërsa e cilësoi si të papërgjegjshme deklaratën e kryeministrit Edi Rama.
“Shpreh keqardhje që kryeministri i vendit, në vend që të marrë përgjegjësi dhe të bëjë transparencë për këtë ngjarje, gjeti rastin të ofendojë opozitën. Është një deklaratë e papërgjegjshme, të cilën e hedh poshtë me neveri. Partia Demokratike dhe unë do të jemi në krahun e çdo efektivi të Policisë së Shtetit në mbrojtje të ligjit. Nuk ka asgjë të pakuptimtë të kërkosh transparencën që po mungon në këtë moment”,- tha Basha.
Ai e cilësoi si një humbje për të cilën shprehu dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e tij për familjarët, kolegët dhe shokët e të ndjerit Ibrahimit Basha, ndërsa shtoi se ka ngelur i shokuar nga kjo humbje.
“Vizituam dy kolegët e tij,të cilët janë me plagë të lehta fatmirësisht dhe jashtë rrezikut. Ju uroj shërim të shpejtë. Kemi kërkuar që në orët e para që policia të marrë të gjitha masat për të mos pasur humbje jetësh në mënyrë që autorët të kapen. Kemi kërkuar transparencë se çfarë ndodhi dhe çfarë po ndodh. Gjthë grupi i efektivave që është goditur ka qenë në skenën e operacionit me një mjet të papërshtatshëm”,- deklaroi kreu i opozitës. /tesheshi.com/