Lulzim Basha prezantoi një program qeverisës, ku ajo që ra në sy ishte një premtim anektodik i Berishës në 2010, pak pasi u liberalizuan vizat me Shqipërinë e jo vetëm, edhe me Maqedoninë e Malin e Zi, si një projekt europian.
Atë kohë, nën eufori, Berisha do deklaronte se mund të hiqeshin vizat dhe me SHBA, pa iu referuar ndonjë shembulli në tillë në Ballkan.
E tani, pas kaq vitesh, teksa ai lloj premtimi është harruar, pasi përbënte dhe një nonsense, është Basha që e risjell, sigurisht pa sjellë ndonjë shembull se cili vend ballkanik i ka mundësuar vetes heqjen e vizave me SHBA-në dhe si arrihet kjo.
“Unë shpreh sot bindjen e zotimin tim personal, se një Shqipëri e drejtuar nga PD e reformuar në çdo sektorë do të mundësojë heqjen e vizave me SHBA-në brenda 4 vjeçarit tonë të parë”, tha Basha.
Nga ana tjetër, një premtim i diskutueshëm ishte ai i një bonusi “stratosferik” për sjelljen në jetë të një fëmije të tretë, plot 20 mijë euro.
A është i kritikueshëm si shifër? Aspak! Fantastike po të ndodhte, ndryshe nga vizat me SHBA që nuk përbëjnë asnjë lloj emergjence, ekonomike apo sociale.
Programi i Bashës kishte ndërkohë premtime ambicioze për çdo fushë, por ajo që i mungonte, që në fakt mungonte dhe që ka munguar në çdo program qeverisës deri më tani, në dy kahjet, janë referencat nga modele të tjera qeverisëse, afër ose larg Shqipërisë, të afërta apo të largëta si kohë, me të cilat Shqipëria mund të ketë pikëtakime në kontekste të caktuara. /tesheshi.com/