Kreu demokrat Lulzim Basha ka artikuluar një akuzë të fortë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, por edhe ndërkombëtarëve, megjithëse nuk përmendi emra konkretë për këta të fundit.
Basha tha se Rama ka korruptuar ndërkombëtarët, nuk ka rëndësi këtu apo në Bruksel.
Akuzën Basha e lidhi me rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, që sipas tij, Rama ia arriti të mbijetojë falë krimit.
“Rama ja doli falë krimit të mbijetonte. Ai ka korruptuar edhe ndërkombëtarët nuk ka rëndësi këtu apo në Bruksel. Rama ka diplomacinë e drogës. Nëse do kishim të njëjtit standard ndërkombëtar si në Maqedoni apo këtu Rama nuk do ishte kryeministër. Të gjitha këto propaganda dhe lobingje kontribuuan që lëvizja jonë mos kulmonte me qëllimin që ne kishim. Rama nuk ka një mazhorancë legjitime. Unë mendoj se angazhimi i bandave të drogës ndihmuan Ramën”, tha Basha.
I ftuar në ‘Studio e Hapur’, kreu demokrat theksoi se rezultati i zgjedhjeve nuk ka shumë të bëjë me listën e kandidatëve.
“Përpjekja për të lidhur listën me rezultatin e zgjedhjeve është një përpjekje e sforcuar. Nga prania e krimit dhe drogës Shqipëria është refuzuar dhe në Evropë. Përpjekja jonë ishte të largonim Edi Ramën”, tha Basha.
Referuar deklaratave të bëra në Kuvend nga Rama që e cilësoi opozitën si konkurrente dhe jo si kundërshtare, Basha tha se “nuk jemi, sepse të jesh konkurrentë do të thotë të ndash edhe ngastrat e drogës. Unë s’mund të jem konkurrent i tij kurrë, unë konkurroj për një Shqipëri europiane, ku policia mos të jetë nën terrorin e bandave por anasjelltas”.
“Dy mundësi kishim: Edi Ramën nuk e largonim dot, kishte dy standarde, Gruevskit i thanë jo, këtij me ngastra droge jo. Kur nuk ndodhi kjo, PD o do ngelej jashtë procesit zgjedhor, dhe e dyta duke përdorur zemërgjerësinë maksimale nga aleatët amerikanë duke pranuar paketën dhe nuk arritëm pak. Pyetja shtrohet çfarë mundësish kishte PD-ja”, tha Basha.
I pyetur nëse ndryshimet në statut do përfshijnë edhe dorëheqjen e kryetarit nëse humb partia në zgjedhje, Basha u shpreh se synim mbetet fitorja.
“Sa i përket mosmbledhjes së Këshillit Kombëtar është vazhdimi i një tradite që duhet të ndërpritet në fakt. Anëtarë të Këshillit janë të gjithë kryetarët e grupeve. Ndonëse Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur kuorumi është marrë. Ndryshimet në statut nuk kanë si synim largimin e kryetarit, por fitoren e zgjedhjeve. Kryetarët nuk mbahen me zor në krye të partisë.
Unë personalisht ju kam premtuar demokratëve në garën e korrikut se do përpiqem që PD të dalë nga ky proçes sa i përket vendimmarrjes brenda saj demokratike. Një vendim i marrë nga një trupë më e madhe gabon më shumë se një vendim i marrë nga trupë me e vogël. Ato që ne besojmë do bëhen realitet dhe do e nisim ndryshimin brenda vetes”, tha Basha.
Në lidhje me incidentin e ndodhur në mbledhjen e kryesisë së PD mes Jemin Gjanës dhe Valbona Mezinit, Basha tha se nuk ka pasur konfrontim fizik, ndërsa shtoi se në mbledhjet e kryesisë së PS-së, thuhej se ishin nxjerrë armët.
“Nuk ka pasur konfrontim fizik, është një fryrje e bërë me qëllim apo qëllim mbetet për t’u parë. Pati një moment tensionimi, por s’ka patur në asnjë moment dhunë fizike. Ky ka qenë një moment i tejkaluar, që nuk duhet të ndodhte dhe dominoi ciklin e lajmeve dhe sfumoi lajmin që kryesia e PD doli me një vendim unanim. Kujtojmë se është raportuar edhe për nxjerrje armësh në kryesinë e PS-së. Pyeta disa anëtarë të kryesisë pasi mbaroi mbledhja dhe më thanë që ishte e lodhshme, por se ndiheshin mirë, sepse pati debate, por pati unanimitet”, deklaroi Basha. /tesheshi.com/