Opozita ka mbajtur ditën e sotme protestën e radhës përpara Parlamentit, sikurse kishte paralajmëruar. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se të rinjtë thanë sot se qeveria e Edi Ramës është qeveria e rrëzuar dhe e zmbrapsur.
“Kësaj qeverie të rinjtë i treguan hallet dhe problemet e familjeve dhe të afërmve. Ekonomia tregon qartë se Edi Rama ia ka dalë të shndërrojë në qeverinë më të korruptuar të 25 viteve. Paratë e doganave dhe akciza e rritur e duhanit, çmimi i karburantit etj., janë në xhepat e Edi Ramës dhe ministrave të tij”,- tha Basha.
Duke iu drejtuar studentëve, ai shtoi: “Ju keni ngritur dhe do e ngrini zërin për atë që kjo qeveri i ka bërë rinisë. Partia Demokratike ka qenë dhe është kundër ligjit korruptiv të arsimit të lartë. Ju jap fjalën të gjithë të rinjve se ligji për arsimin e lartë do të shfuqizohet që në javën e parë të ardhjes sonë në pushtet”.
Sipas Bashës, rinia shqiptare meriton të arsimohet dhe me Partinë Demokratike do të arsimohet pa diskriminim dhe pa çmim të shtrenjtë./tesheshi.com/