Pas takimeve të shumta me përfaqësues të huaj në vendin tonë, lideri i opozitës, Lulzim Basha i ka rezervuar axhendës së tij, një pritje edhe me kreun e Lëvizjes Vetëvendosja, Visar Ymeri dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi situatën aktuale në Shqipëri dhe Kosovë. Kryetari i PD-së theksoi se kërkohet një bashkërendim i vërtetë përmbajtësor mes Tiranës dhe Prishtinës në funksion të objektivave të përbashkët strategjikë, dhe jo amatorizëm e protagonizëm personal.
“Në veçanti, ky bashkërendim duhet t’i shërbejë forcimit dhe jo zbehjes së rolit të Kosovës në arenën rajonale dhe ndërkombëtare”,- u shpreh Basha.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë të vdekjes së aktivistit të Vetvendosjes, Astrit Dehari në ambjentet e paraburgimit, Basha shprehu keqardhjen dhe nënvizoi nevojën për një hetim të plotë, të besueshëm dhe transparent./tesheshi.com