Kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën para grupit parlamentar tha se brenda korrikut kjo parti do të dorëzojë në komisionin parlamentar, draftin e plotë me propozime për dekriminalizimin, që sipas tij, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë kandidimit të personave me rekorde kriminale.
Dekriminalizimi si dhe rivendosja e standardeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme ishin dy prioritete që përcaktoi Basha për PD-në në vijimësi, ndërsa përsëriti se kjo parti ka rritur numrin e votave në zgjedhjet e fundit. “Përditë dalin fakte të reja të dhunimit e manipulimit të zgjedhjeve nga pushteti”, shtoi kreu i demokratëve.
Ai tha se një pjesë e 150 milionë dollarëve që mungojnë në Dogana e Tatime, janë përdorur për të blerë votat.
Në fjalën e tij, Basha nuk ka ngurruar të përdorë një mënyrë folklorike të përshkrimit të pushtetarëve, duke thënë se herë pas here zihen në grep peshq të vegjël të korrupsionit, por “fokat, balenat e derrat e korrupsionit” planifikojnë pushime në resorte luksoze.
Grupi parlamentar i PD-së pritet të diskutojë edhe për përgjegjësinë e humbjes në zgjedhjet e 21 Qershorit, ndërsa Basha ka paralajmëruar masa ndëshkuese. /tesheshi/