Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është nisur të hënën në mbrëmje për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar siç pat deklaruar më parë edhe një takim me presidentin e SHBA Donald Trump, ai ka paraqitur në fushatë një politikan gjerman që e ka prezantuar si “këshilltar të Angela Merkelit”.
Bëhet fjalë për Hans Joachim Falenski, i çili është konsulent ekonomik i grupit të madh parlamentar prej 310 deputetësh.
Në Gjermani çdo deputet ka një staf të tijin. Por Basha e ka quajtur si këshilltar të Merkelit.
Hans Joachim Falenski në bashkëpunim me fondacionin “Konrad Adenauer” që është një fondacion pranë CDU ka përgatitur programin e PD-së.
Falenski është referent për çështjet e politikës së jashtme në grupin e CDU-së dhe të tillë janë mbi 50 vetë që merren kryesisht me përgatitjen e ekspertizës.
Ndërkaq, 4 vjet më parë “Fondacioni Fridrich Ebert”, pranë PSD-së gjermane përgatiti programin e Edi Ramës.
Hans Joachim Falenski tha se në 4 vite nuk është bërë asgjë për zhvillimin e Shqipërisë, përveçse është shtuar droga, krimi dhe korrupsioni. Ndaj sipas tij, ky vend meriton një tjetër qeveri të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.
“Qeveria Rama duhet të iki! Socialistët s’mund të bëjnë ekonomi dhe të menaxhojnë paratë. Kjo qeveri nuk e ka bërë këtë” tha zoti Falenski. Ai bëri të ditur se PD në bashkëpunim me CDU dhe “Fondacionin Konrad Adenhauer” ka krijuar një program që siguron ekonomi të fortë. “Ne bashkë me Angela Merkel vërtetojmë çdo ditë se ky program funksionon dhe krijon vende pune. Ndaj besojini Lulzim Bashës. Votoni dhe kërkojini gjithëkujt të votojë sepse me kontrobutin e Bashës me protestën në çadër ai siguroi njerëzit për zgjedhje më të lira e të ndershme”, tha këshilltari politik i grupit parlamentar të CDU-së në Budestag Falenski, në mitingun e PD në Durrës.
Sakaq, në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë është hequr pjesa ku ndalohen të huajt në fushatën direkte elektorale.
Në Kodin aktual Zgjedhor nuk ka asnjë detaj mbi fushatën dhe mënyrën e zhvillimit të saj. /tesheshi.com/