Kreu demokrat Basha vijoi dhe këtë të dielë turin e tij, ku si kauzë të re ka promovimin e 30 Qershorit si fitore të opozitës, referuar asaj që lidershipi i saj e konsideron bojkot masiv.
“30 Qershori, në këtë pikëpamje vetëm ka përforcuar dhe konfirmuar si të drejta shqetësimet dhe rrugëdaljet nga kriza që kemi parashtruar: një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, çuarjen para drejtësisë të të gjithë politikanëve dhe kriminelëve, të faktuar para të gjithë botës si hajdutët e zgjedhjeve, dhe zgjedhje të parakohshme”, theksoi Basha nga Lezha, ndalesa e radhës e tij.
Sipas tij, në tre vjet Rama ka shkatërruar drejtësinë, referuar Reformës në Drejtësi.
“Kjo tregon se drejtësia është tërësisht e privatizuar nga Edi Rama. 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, drejtësia është tërësisht e kapur nga Rama. Kjo është arsyeja pse drejtësia nuk funksionon”, theksoi kreu demokrat. /tesheshi.com/