Shkodra përkujtoi sot, me pjesëmarrjen e kreut të Opozitës, Lulzim Basha, 26-vjetorin e vrasjes së martireve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.
Duke vlerësuar sakrificën sublime që Shkodra ka bërë ndër vite, si qyteti që e ka paguar me çmimin më të lartë demokracinë, ai ritheksoi se edhe sot vendi ndodhet ne momente të vështira. Basha riartikuloi qëndrimin dhe vendosmërinë e demokrateve se deri në fitoren për zgjedhje të lira e republikë të re nuk ka tërheqje.
“Aleanca e krimit thotë se mund ketë zgjedhje pa opozitën. Përsëris sot se deri në fitore zotimi ynë mbetet zgjedhje të lira e republike e re. Sakrifica e 2 prillit sot më aktuale se kurrë, marrëzia do të marrë fund”, tha Basha.
Me këtë rast, në hollin e bashkisë së Shkodrës ishte hapur një ekspozitë fotografike dhe u shfaq edhe një dokumentar kushtuar kësaj ngjarje. Basha u takua në zyrën e kryebashkiakes me familjarët e 4 dëshmorëve, ku mbajti 1 minutë heshtje.
Familjarët e 4 të rinjve edhe sot pas kaq shumë vitesh janë të zhgënjyer që vrasjet nuk u zbardhën kurrë. /tesheshi.com/