Kreu demokrat Basha po vijon të denoncojë qeverinë, por dhe t’i shërbejë asaj me info, duke raportuar mbi atë çfarë sheh e prek në terren, gjatë ecejakeve ditoreve në zonat e dëmtuara nga tërmeti në Shqipërinë e Mesme.
“Dhjetëra familje me fëmijë të vegjël në Rrëzë të Krujës, kanë mbetur krejt të vetëm në përballimin e pasojave që u la tërmeti i javës së kaluar.
Për fat të mirë në këtë fshat nuk pati asnjë viktimë, por pothuajse të gjitha shtëpitë janë të pabanueshme. Asnjë masë nuk është marrë për ta. Asnjë ndihmë, asnjë çadër apo ushqim, nuk u ka ardhur nga shteti.
Duhet hapa konkretë dhe zgjidhje emergjente sepse gjendja e tyre po rëndohet edhe nga moti i ftohtë”, shkruan Basha.
A më tej këmbëngul se teza e tij financiare, ajo e kalimit të 150 milion dollarëve(ose eurove në raste të tjera), që sipas tij u janë dhënë atyre që politikisht i quan oligarkë, të kalojnë për banorët nën vështirësi.
“Pa humbur kohë 150 milion dollarët që janë ndarë për 10 oligarkë duhet të kalojnë për banorët e dëmtuar nga tërmeti që sot janë në qiell të hapur.
Qeveria duhet të nisë lëvrimin e fondeve për tu ardhur në ndihmë banorëve në zonat rurale për të cilët është e pamundur zhvendosja, në mënyrë që të nisin riparimin apo rindërtimin e shtëpive të shkatërruara”, shkruan kryedemokrati. /tesheshi.com/