Nga Vepror Hasani
“Banda e Lirisë” u krijua në qytetin e Korçës më 1 tetor 1908. Themeluese u bë “Dituria Shqip”. Drejtuesit e saj ishin: “Kryetar nderi i këtij klubi, Ymer bej, ( Zavalani); Kryetar, Orhan bej Pojani; arkëtar Idhomene Kosturi; ndërsa pleq: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica, Hafëz Ali, Çikozi Miçe, Ismail Bej Leskoviku dhe Tefik Efendi (Panariti)”. (Gazeta “Korça”, 26, vjesht’ e III 1909).
Me krijimin e “Bandës së Lirisë”, edhe kleri ortodoks grek krijoi shoqëri muzikore për këndimin e këngëve greke. “Banda e Lirisë” pati adhurimin e të gjithëve. Në nyjën 1 të statusit të saj sanksionohej: “Qëllimi i kësaj shoqërie do të jetë, të punojë me bashkim për të përhapur dhe të mbrodhësuar mësimin të muzikës, të gjimnastikës dhe të valles në mes të shokëvet (të) shoqërisë”. Dëshirohej shumë që “Banda e Lirisë” të bëhej “Banda e Lirisë e të gjithë Shqiptarëve”.
Në krye të Bandës u vu Pandeli Cale me qëllim që rreth saj të afroheshin edhe ortodoksët, të cilët pengoheshin nga kisha ortodokse greke. Pjesë e shoqërisë muzikore u bënë: Hysen Myteveliu, pasardhës i Mirahorëve, Sadedin Zavalani, Mumtaz Frashëri, Hasan Frashëri, Besim Gjirokastra drejtues i farmacisë “Dituria Shqip”, Ferid Frashëri, Hysen Dishnica, Fuat Dishnica, Jakup Dishnica, Jusuf Halit Kolonja, Shaban Frashëri, Asllan Starja, Tefik Panariti, Mahmut Pojani, Ali Sherif Frashëri etj, të cilët përveç kuotizacionit të anëtarësisë ndihmonin mbarëvajtjen e Bandës me vegla muzikore, me veshje për muzikantët, me fonde për udhëtimet në qytete të tjera e gjithçka tjetër.
Këngët e para që mësuan djemtë e “Bandës së Lirisë” ishin: “Himni i Bandës së Lirisë”, “Për mëmëdhenë”, “Që më një të Kollozhekut”, “ Të gjithë ne o djema”, “O Zoti im, o Perëndi”, “Lule e bukur porsi dielli”, “Sa të rrojë gjithësia” etj.
“Banda e Lirisë” u përkrah edhe nga Mytesarifi (prefekti i Korçës) Shyqyri Pasha, nga kryetari i Bashkisë, Belul Efendi, nga Myftiu i Korçës dhe nga autoritete të tjera të larta. Pra, mbështetja reale e saj ishte paria e qytetit të Korçës.
Një muaj pas themelimit të Bandës u kërkua mbrojtja e Sulltan Mehmet Reshad V, pasi vetëm kështu do ta kishin më të lehtë për të mos u penguar nga të tjerët. Në Stamboll u dërgua më i vjetri i tyre, Ymer bej Zavalani. Fakti e mësohet nga gazeta “Korça” ku muaj më vonë e kujton sërish këtë ngjarje:
“…L. M. T. Sulltan Mehmet Reshad V ka qenë gjithnjë mik i shqiptarëve, këtë gjë na e tregon që me gëzim të madh priti kryesonjësin e nderit kur përpara 6-7 muajsh ia lypi mprojtjen e tij “Bandë e Lirisë” ndë Korçë, edhe pati mirësinë të dërgonjë kësaj bande një shumë të hollash …”. (Gazeta “Korça”, 22 prill 1909).
Muzikantët e Bandës shumë shpejt ndjenë nevojën e një profesori muzike. Donin që ai të ishte shqiptar ose të paktën të fliste shqip. Vetëm me një profesor muzike mund ta shndërronin “Bandën e Lirisë” në “Bandën e Lirisë të të gjithë shqiptarëve”. “Diturisë Shqip” i mbetej vetëm një rrugë: të kërkonte ndihmën e shqiptarëve kurbetlinj kudo që ndodheshin nëpër botë:
“Shoqëria e muzikës “Banda e Lirisë”, u lutet gjithë mëmëdhetarëve në dinë ndonjë profesor të muzikës, shqiptar, ose të dijë gjuhën shqipe, të na shkruajë, që të mundim ta pajtojmë. Kondicionet janë: 150 franga në muaj, jo gjë tjetër. Profesori është i ndaluar të japë mësim gjetkë pa lejen e pleqësisë”. (Gazeta “Korça”, 24 shënëndre 1908).
Për gjetjen e profesorit u dëshën gati tre muaj:
“Mësonjës i “Bandës së Lirisë” është nga Italia, një javë përpara urdhëroi, tashti pas Pashke do të niset mësimi i muziqisë”. (Gazeta “Korça”, 31 mars 1909).
Profesori italian i muzikës ishte Pasquale Anibale, emigrant në Misir. Dhënia e mësimeve nisi më 14 prill 1909. Gjatë festimit të kësaj dite, Kristo Sulidhi fotografoi për herë të parë “Bandën e Lirisë”. Gjithashtu fotografi u bënë edhe nga zyrtarët e lartë të Korçës, ku nuk mungonte as Mytesarifi (prefekti) Shyqyri Pasha. Gazeta “Korça”, 8 maj 1909, shkruan:
“…Gjithë anëtarët e zyrtarët me Mytesarifin në krye u fotografisnë në shtëpi të “Bandës së Lirisë”. Një tryezë e madhe prej 80 takëmesh u shtrua për këtë festë duke dëfryer gjer në mëngjes…”.
Klubit “Dituria Shqip” i mbetej të kompletonte Bandën me instrumentet muzikore të nevojshme. Ishin blerë mjaft vegla, por u pa e nevojshme të bliheshin të tjera:
“Klubi Dituria” kishte porositur vegla të tjera muzikore për bandën, ndërsa theksonte se, “veglat e muzikës që kish porositur “Band’ e Lirisë” në Korçë, erdhë nga Evropa në gjymryk (doganë) të Selanikut dhe dje u nisnë për në Korçë ng’an e Manastirit”.( Gazeta “Liria”, 30 maj 1909)
Mbërritja e instrumenteve u bë e ditur nga gazeta “Lidhja ortodokse”:
“Me gjithë që veglat të muzikës vonuan shumë për sa arritën këtu, z. profesor Paskali vuri gjithë fuqinë, e kështu, për sot, ditën e lirisë, do të këndojnë marshet kombëtare të Lirisë, të Mëmëdheut prej zotit Mihal Grameno. “Sa të rronj gjithësia edhe nja dy të tjera”. Aq pleqësia e “Bandës Lirisë”, sa edhe z. Paskal, meritojnë gjithë ngjatjetimet nga ana tonë për këto vepra kombiare. Nuk dyshojmë që mëmëdhetarët do t’i ndihmojnë kësaj shoqërie, e cila përpiqet kaq shumë për qëllime të shejta”.
Instrumentet ishin flikorni tromba, saksi, basi, kundërbasi, katër klarineta, një fyell, dy daulle etj. Profesor Pasquale Anibale ishte i përkushtuar në dhënien e mësimit:
“Banda e Lirisë” ep dy herë në ditë mësim. Në mëngjes që në orën 12-3 dhe mbrëmanet që me orën 1-4 të natës. Përmbi 60 djema mësojnë muzikën”. (Gazeta “Korça”, 11 qershor 1909).
U blenë edhe veshje. Përkujdesja për bandën i ishte ngarkuar Sami bej Pojanit, botuesit të gazetës “Korça”.
Ndërkohë Mitropolia kishte formuar dy shoqëri muzikore: “Anagjenisin” që do të thotë “Përlindja” dhe “Ta Patria” që në greqisht ka kuptimin “Atdheu”. Ajo kishte vendosur të shfaqej me grupin e vet muzikor ditën e 10 korrikut, në përvjetorin e ditës së Lirisë (shpalljes së konstitucionit):
“Pas programit të hyqymetit, më orën 2 u mblodhë në oborr të hyqymetit, duke ardhur me radhë: Katundaria (bashkia) Klubi i “Diturisë Shqip”, “Banda e Lirisë”që habiti gjithë botën me rrobat e bukura, Mitropolia me muzikën…”.
E pra, Mitropolia kishte ardhur duke marrë me vete edhe muzikën e vet.
Por, “Festën e nisi “Banda e Lirisë”, duke kënduar Marshin e Lirisë në mes të bërtimeve e të përpjekurit e duarve”… “Më orë 10, “Banda e Lirisë” xbriti duke kënduar në Klub të Shqiptarëve, ku këndojti gjer më orën 11, pastaj me pleqësinë në krye vanë në kafene të Plakocit. Në tryezë fjalën e hapi Mytesarifi duke dëftyer shënimin e kësaj dite të shënuar. Të dytën fjalë e mbajti Avni Beu, kryesonjës i Çemjetit, duke lutur Perëndinë për të shtuar vëllazërinë e dashurinë të të gjithë kombeve. Të tretën fjalë e mbajti z. Idhomene Kosturii në emër të Klubit të Shqiptarëve. … Pas z. Idhomene mbajti fjalën dhespoti, pastaj zoti Bullamaçi. Fundin e fjalëve e mbajti Belul Efendiu, kryekatundar i qytetit të Korçës…”. (Gazeta “Lidhja orthodhokse”, 10 korrik 1909).
Muzikat e Mitropolisë mbeteshin vazhdimisht në hije:
Si u mbarua tryeza të gjithë bashkë më ora dy u rrëzua nëpër klubet e tyre, gjer në mes të natës muzikat shëtitnë me dritat e bukura që çkëlqenin në duart e djemve. Artificet kishin edhe ato bukurinë e tyre. Dëfrimet mbajtën deri në mëngjes midis popullit edhe vetëm kur zuri të gdhihet e suall nërment që është e shtunë, ditë pazari, andaj sicili shkojti në punë të tij duke bërtitur: Rroftë kombi! Rroftë Shqipëria! Për të shënuar është që kjo ditë shkojti pa ndonjë zihje ose turbullim duke mbetur në zemrat të cilitdo një kujtim të paharruar. Mot dhënë Zoti më mirë”. (Gazeta “Lidhja orthodhokse”, 10 korrik 1909).
Gazeta “Lidhja ortodokse” vë në dukje faktin që festa “shkojti pa ndonjë zihje ose turbullim”. E thotë këtë pasi muzikantët e mitropolisë për shkak të shpërfilljes që u bëhej prej njerëzve, kalonin në agresivitet. Krejt ndryshe ndodhte me “Bandën e Lirisë”: “Prej dy jave “Banda e Lirisë” ka zënë të përmbledhë gjithë mëmëdhetarët në shtëpi të saj, ku venë të dëgjojnë muzikën. Për natë, nuk është përveçse festë kombiare në mest të këngëve kombiare. Z. Llambi Kota njënatëza kur dëgjojti marshin: “Për mëmëdhenë” nga gazi qau dhe i dhurojti bandës pesë napolona”. (Gazeta “Lidhja orthodhokse”, 10 korrik 1909).
I befasur mbeti edhe deputeti Shahin Kolonja:
“Të hënën që shkoj, mbrëmanet, Z. Shahin Kolonja vajti në “Banda e Lirisë” edhe u çudit nga përparimi i djemve në muzikë. Kur iku i fali bandës 5 lira” (Gazeta “Korça”, 8 vjesht e II-të 1909).
Herë pas herë muzikantët e Bandës bënin shëtitje nëpër qytet, këndonin dhe luanin meloditë të bukura. Qyteti dilte për t’i admiruar e mrekulluar me virtuozitetin e tyre. Një prej shëtitjeve të tyre përshkruhet kështu:
“Të djelë që shkoi “Banda e Lirisë” bëri një shëtitje përjashta qytetit tonë për xbavitje. Afro gjysm’ e qytetit kishte dalë jashtë që të dëgjonte bandën dhe këngët shqip. Banda, kur ktheheshe lojti një copë (pjesë) të bukur përjashta Katundaries, afër zyrës (së gazetës) “Korça” (Gazeta “Korça”, 8 vjesht e II-të 1909).
Ata shkonin edhe nëpër fshatra:
“Banda e Lirisë” bëri një ekskursion në Drenovë ku atdhetarët i pritnë e i gostitnë fort bukur. Me të hyrë Banda, djemtë zunë këngën të vjershëtorit Asdren. Në tryezë u ngritnë më shumë kupa shëndet të atdhetarëve. Me të perënduar dielli, banda u kthye në Korçë”. (“Lidhja orthodhokse”, 31 maj 1910).
Profesori italian Paskuale Anibale, kompozoi himnin e Bandës së Lirisë, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse ëndrra e madhe e lirisë. Shqiptarët brenda dhe jashtë vendit financonin për për botimin e himneve: “Klubi i Dhramës, 50 grosh, ndërsa shqiptarët e Shibin-el-komit, 18 franga, i dhuruan “Bandës” për të shtypurit e dy marsheve, nga të cilët njëri është marsh i “Kongresit të Elbasanit” dhe tjetri marsh i “Bandës së Lirisë” (Gazeta “Korça”, 22 vjesht’ e II-të 1909).
Ndërkaq u mësua edhe një lajm tjetër:
“Marshet “Banda e Lirisë” edhe “Kongresi i Elbasanit” bërë prej profesor z. Paskal u shtypnë dhe shiten të dy 6 grosh. Vraponi pa shitur, që të kini të parat marshe shqip për kujtim”. (“Lidhja orthodhokse”, 17 maj 1910).
Instrumentistët e “Bandës së Lirisë” të veshur me rroba të bukura që çudisnin botën dhe me veglat muzikore që farfurinin, shëtitisnin nëpër rrugët e qytetit. Himni i Bandës kishte qenë kaq i bukur dhe kaq rrëqethës sa nuk mund ta shpjegoje dot. Shoqëritë muzikore të mitropolisë i ndiqnin nga larg. Kështu ndodhi edhe kur “Banda e Lirisë” e shoqëruar nga shumë njerëz, priti dhe përcolli delegatët për në Kongresi e Dibrës:
“Delegatët e Dibrës u pritën shumë mirë prej një shumice shqiptarësh që ishin këta: 8 delegatë të Filatit, 3 të Tepelenës, 3 të Leskovikut, 2 të Janinës dhe 4 të Korçës. Pastaj erdhi delegati i Selanikut z. Abdyl Ypi, i cili shkoj për Kolonjë. Edhe 2 delegatë të Gjirokastrës, që të gjithë shkuan në punë të vet”. (“Lidhja orthodhokse” 31 Korrik 1909)
E njëjta gazetë informonte:
“Delegatë të Korçës për në kongres të Dibrës u xgjodh Hafiz Aliu, Ymer Beu, Llambi Kota dhe Loni Llogori. Si ardhë edhe të Janinës, Leskoviqit, Gjinokastrës, Lurësit edhe Filatit shkuan bashkë për në Dibër”. (“Lidhja Ortodokse”, 31 korrik 1909).
Por nëse dëshironi të dini më shumë, na ndiqni në fundjavën që vjen, do të lexoni çudira. /tesheshi.com/