Nga i tërë futbolli i së martës, tre janë rezultatet më spikatëse në tre veprimtari të ndryshme, edhe pse ka patur një mori ndeshjesh.
Në aktivitetin e dytë për nga rëndësia në futbollin italian, në Kupën e Italisë, Lacio ka shkruar emrin në finale për herë të tretë brenda pesë viteve falë një fitoreje 2-0 në fillim të marsit, pasi mbrëmë ka humbur 3-2 në derbin ndaj Romës, në gjysmëfinalen e dytë.
Lacio kërkon një trofe të shtatë të Kupës, dhe është në pritje të skuadrës tjetër finaliste, emri i së cilës do të mësohet sonte, me t’u luajtur takimi midis Napolit dhe Juventusit.
Të zhvendosur në Bundesligën gjermane, lajmi thuajse i vetëm është humbja e dytë në 27 javë e Bajernit të Mynihut.
Bavarezët nuk njihnin humbje në tërë aktivitetet që prej nëntorit të vitit të shkuar. Merita për ndërprerjen e një serie prej 20 ndeshjesh pa humbje për Bajernin i përket Hofenhajmit, që fitoi 1-0 mbrëmjen e së martës.
Një rezultat që nuk ia kërcënon aspak pozitat kryesuese Bajernit të Mynihut, ndërsa e mban në vend të tretë Hofenhajmin në klasifikim.
Spektakolar shndërrimi i Lestër Sitit në Premier League. Mbrëmë ka ardhur fitorja e pestë rresht në kampionat, e gjashta gjithsej, që prej largimit të Claudio Ranieri-t. Veç fitore: ky është bilanci i kampionëve në fuqi në Angli nga ikja e italianit e këtej.
E pastër fitorja ndaj Sandërlendit të fundosur. Dy gola në pjesën e dytë kanë sjellë rezultatin 2-0, që e ka ngjitur Lestërin në vend të dhjetë në renditje.
Rekordin e barazimeve në kampionatin anglez e mban Mançester Junajtedi, me 12 të tilla, më e fundit një natë më parë.
Barazimi i së shtunës pa gola ndaj Uest Bromuiçit është shoqëruar nga një tjetër barazim, këtë herë 1-1, ndaj Evertonit. Mund të kishte shkuar dhe më keq nëse Ibrahimovic nuk do të kishte shënuar nga pika e 11-metërshit në minutën e 94-t. Rezultatet e fundit e kanë komprometuar së tepërmi synimin për t’u pozicionuar mes katër skuadrave të para. /tesheshi.com/